Pezullimi nga detyra i anëtarit të KPA Luan Daci për fshehje të një shkarkimi nga detyra për paaftësi në punë në vitin 1997, ka shkaktuar ngërç në proceset gjyqësore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Pas interesimit në këtë Kolegj, abc news mësoi se 46 çështje mbeten të hapura për shkak të pezullimit të gjyqtarit Daci.
Të hënën Kolegji i Posaçëm i Apelimit, bëri të ditur se këto dosje të cilat janë ankimuar si nga Komisioneri Publik ashtu edhe nga vet subjektet e rivlerësimit, nuk do të shqyrtohen deri në daljen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, që do të shprehet në lidhje me pezullimin e Luan Dacit.
Ndër dosjet e mbetura pezull është ankimimi nga komisioneri publik i vendimit që konfirmoi në detyrë Manjola Kajanën kandidate për SPAK, vendimi për ish-drejtuesen e prokurorisë për Krime të Rënda Donika Prela, ish-gjyqtaret e gjykatës së Krimeve të Rënda Gurali Brahimllari dhe Luan Hasneziri.
Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, që prej fillimit të procesit të vettingut ka qenë pjesë e 84 proceseve gjyqësore për gjyqtarë dhe prokurorë, ku janë marrë 38 vendime të formës së prerë.
Gjyqtari Daci ka qenë anëtar i trupës së KPA në dy vendimet e vetme pozitive që janë dhënë nga shkalla e dytë e Vettingut, siç janë gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit Nertina Kosova dhe Gjyqtari i Gjykatës Administrative Tiranë Gentian Medja.
Por Luan Daci ka qenë pjesë e trupës gjykuese, që kanë dhënë vendimin për emra të njohur të drejtësisë, të cilët janë jashtë sistemit, si ish-kryetar i Kushtetueses, Bashkim Dedja, apo ish-kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, dy ish-anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Antoneta Sevdari dhe Besnik Cani.
Ishte ky i fundit ai që kallëzoi në SPAK gjyqtarin Daci.
Nëpërmjet avokatëve të tij gjyqtari i KPA ka bërë ankimim të vendimit të dhënë nga gjyqtarja Danjela Shirka, që e pezulloi nga funksioni.