Ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka cilësuar të komplikuar situatën aktuale në pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe atë të drejtësisë në Shqipëri.
Sipas tij, themelet e shtetit janë minuar rëndë, shtet-ndërtimi në Shqipëri nuk ka ecur përpara, dhe balanca e pushteteve është inekzistente.
“Çfarë është më kryesorja ka të bëjë me kolonën kryesore që është shtetndërtimi, që në Shqipëri ka mbetur në istanacion dhe themelet janë minuar rëndë. Sot ne nuk kemi më një balancë mes pushteteve, kemi pushtete të cilat pothuaj nuk ekzistojnë, kemi një pushtet ekzekutiv, por kemi edhe një pushtet legjislativ që është shumë i rëndësishëm, i cili është inekzistent e gati-gati qesharak, dhe jo vetëm që nuk ka asnjë lloj independence por as seriozitetin e duhur. Nuk ka legjitimitet të plotë, kemi një parlament të gjymtuar nga pikëpamja e numrave kushtetues por nga pikëpamja cilësore është më qesharaku të paktën 30 vitet e fundit. Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese që kontrollon pushtetin ekzekutiv nuk ekzistojne. Kemi një rëndim të situatës, ku shoqëria civile është bërë inekzistente në Shqipëri, media përballet me probleme thelbësore dhe të rënda në profesionin e saj. Kemi një ekonomi që është fokusuar tërësisht te shpërndarja e pasurive publike tek disa individë privatë, është prishur rregulli bazë i tregtisë së lirë, gjithçka është në zgrip. Presidenti i Republikës nuk ka mekanizme apo për të vënë veton në situata të tillë, opozita nuk ka më mekanizma për të reaguar. Shoqëria në tërësi, elita shoqërore është një zë i mekët dhe i vakët, ka thënë Nishani në një intervistë për ABC News.
Nishani ka thënë se për këtë situatë kanë përgjegjësi të gjithë aktorët politikë.
“Absolutisht nuk përjashtoj nga përgjegjësia asnjë njeri, asnjë aktor, derisa kemi një situatë të tillë që ka çuar në këtë deformim të madh shoqëror do të thotë që të gjithë aktorët kanë përgjegjësitë e tyre. Çfarë është shqetësuese është asgjësimi i kontrollit të sistemit të drejtësisë mbi pushtetet e tjera, presupozohet se sistemi i drejtësisë është më i pavaruri”, është shprehur Nishani.