Në orët e para të mëngjesit ka nisur shembja e godines së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në ndihmë të tyre kanë qenë forca të shumta të Policisë dhe RENEA, të cilët kanë ndërhyrë për të nxjerrë jashtë aktorët që ndodheshin brenda godinës.
Shembja ka nisur në orën 04:30 të mëngjesit.
U tentua të ndërhynte për ta ndaluar shembjen por nuk u arrit. Gjithashtu disa përfaqësues të shoqërisë civile janë arrestuar.
Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Shqipëri ka reaguar duke thënë se dhuna policore nuk ka për ta ndalur rezistencën qytetare.
“Me qindra forca policore, të armatosura me armë automatike, kanë ndërhyrë sot dhunshëm, rreth orës 4:30 të mëngjesit, në hapësirën publike të Teatrit Kombëtar, Monument Kulture, duke arrestuar qytetarë dhe aktivistë të Aleancës për Mbrotjen e Teatrit, që kanë qëndruar mbi dy vite në mbrojtje të këtij Monumenti Kulture. Mes të arrestuarëve është edhe aktivistja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Megi Mustafaraj. Forcat e Policisë kanë përdorur edhe sprej piperi, gazin lotsjellës dhe mjete të tjera dhune për të larguar protestuesit që po mbronin këtë kompleks të Trashëgimisë Kulturore në zemër të Tiranës, e shpallur nga organizata pan-evropiane “Europa Nostra” si vlerë e spikatur e trashëgimisë kulturore evropiane. Menjëherë pas ndërhyrjes policore janë futur fadromat që kanë shembur pjesët ballore të dy objekteve kryesore të kompleksit të Teatrit Kombëtar”, thuhet në reagim.
VV ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestueseve, duke thënë se rezistenca qytetare ndaj këtij krimi të shumëfishtë do të vazhdojë.
“Teatri do ringrihet, bashkë me të dhe populli”, thuhet në reagim.