Në studion e emisionit “Top Talk” drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar avokati Spartak Ngjela. Gjatë fjalës së tij avokati foli dhe për shkarkimin e ish-anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ardian Dvoranit. Ndër të tjera Ngjela argumentoi se përse ky shkarkim është në dëm të presidentit Ilir Meta.
Denis Dyrnjaja: Në fakt duket sikur Ilir Meta ia arriti qëllimit, e largoi zotin Dvorani dhe kjo ndodhi edhe duke u tërhequr dy nga institucionet që monitorojnë ligjzbatimin e Shqipërisë që është EURALIUS dhe OPDATI, iu kërkua dhe ato thanë bëni atë që duhet bërë.
Spartak Ngjela: Ka rënë brenda me të. Po sepse ato e hoqën për faktin se ky ka mbaruar afati dhe këtë e kërkoi presidenti. A ka të tjerë që e kanë mbaruar afatin? Ka. E kush është? Vitore Tusha, ka tre vite që i ka mbaruar. Pse rrinë? I mban kushtetuta. Përse i mban kushtetuta? I mban Kushtetuta sepse kështu e kemi vendosur që të mos ketë bllokim të institucioneve. Unë nuk kam qenë dakord, më duket këtu e kam thënë, por ato thanë që bllokohen institucionet dhe më bindën. Pa ardhur zëvendësuesi nuk mund të ikin. Po ikën me dëshirën e tyre punë tjetër. Metës i iku përkrahësja. Tani do të futen dy të tjerë, të dy të tjerët s’janë të metës.
Denis Dyrnjaja: Bëri autogol politik presidenti?
Spartak Ngjela: Bëri, ra brenda. Sepse nga tahmaja e madhe humbi gjithçka.
Denis Drynjaja: Sipas jush Dvorani mund të rikthehet. Sepse ai pretendon se ka prova që mund të vazhdojë detyrën.
Spartak Ngjela: Nuk e di por po të kthehet është në favor të Metës. Ato që e kanë bërë, e kanë bërë kundra Metës, nuk e kanë bërë kundër Dvoranit. Po të kthehet është në favor të Metës, sepse Meta kështu goditet më shumë. Në qoftë se ato do të marrin një vendim duhet të ikin të gjithë ata që kanë kaluar afatin.