Takimi i Këshillit Politik, ku janë prezent edhe përfaqësuesit e opozitës së bashkuar Petrit Vasili e Oerd Bylykbashi ka pasur debate, ku këta dy të fundit janë përplasur me bashkëkryetarin Damian Gjiknurin. Për këtë arsye mbledhja e Këshillit Politik për Reformën u ndërpre për disa minuta.
Shkak i debatit u bë fakti se opozita jashtëparlamentare kërkon që mazhoranca të sqarojë pozicionin e saj politik lidhur me deklarimet e kryeministrit një ditë më parë.
Bylykbashi dhe Vasili kanë akuzuar Gjiknurin për sabotimin e konsensusit nga kryeministri. Ndërkohë Gjiknuri është përgjigjur se “nuk do merremi me deklarimet politike që bëhen nga partitë por do vazhdojmë me axhendën e punës”.
Mbledhja ndërkohë rifilloi sërish pas një pushimi të shkurtër. Aktualisht po raportojnë ekspertët sipas rendit të ditës, për punën e bërë deri më tani nga grupi ekspertëve.
Më pas sipas rendit të ditës bëhet dhe vlerësimi i ekspertëve në lidhje me pyetjet që i janë bërë nga përfaqësuesit politik nëse propozimet e bëra për sistemin prekin apo jo Kushtetutën dhe si mund të adresohen si procedurë.
Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore u mblodh sot për herë të parë fizikisht pas shpërthimit të pandemisë.