Partia Socialiste nuk është pajtuar me vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku i cili disa muaj më parë, rrëzoi akuzat e prokurorisë të ngritura për kryedemokratin Lulzim Basha për “dosje të lobimit rus të PD” në shumën e 650 mijë dollarëve.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu disponon kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, depozituar këtë të premte në Gjykatën e Tiranës, ku kërkohet revokimi i vendimit të gjyqtarit Lazër Sallaku, me argumentin se ka fakte të reja që plotësojnë kushtet e një këtij kallëzimi të ri.
Në këtë kërkesë renditen 3 prova të reja, të publikuara në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, të cilat kërkohen të merren në shqyrtim nga Gjykata e Tiranës.
Prova e parë ka të bëjë me kontrata të firmosura nga Lulzim Basha duke përdorur të dhenar e pashaportës së tij diplomatike.
Prova e dytë, janë shërbime të faturuara në emër të Partisë Demokratike në shumën totale 675.000 dollarë.
Dhe prova e tretë, lidhet me deklarimin zyrtarisht se kompania guackë Biniatta Trade, do të kompensojë/do të paguajë lobistin Nicolas Muzin për shërbimet e ofruara në emër të Partisë Demokratike.
Bazuar në këto prova thotë kërkuesi Taulant Balla, gjykata duhet të revokojë vendimin e datës 13.01.2020 si dhe aktet që i përkasin procedimit penal numër 645 të vitit 2018 ti kthehen organit të prokurorisë Tiranë për të vijuar hetimet.
Në faqen 15 të kësaj kërkese janë tre paragrafë dedikuar rolit të lobistit Nicolas Muzin i cili u deklarua i gatshëm të dëshmonte për drejtësinë shqiptare në lidhje me këtë lobim kundrejt garancisë, se nuk do të hetohej, akuzohej dhe arrestohej për llogari të këtij hetimi.
Por asnjëherë prokurorët shqiptarë nuk bënë asnjë përpjekje në dhënien e këtyre garancive në këmbim të dëshmisë nga Nicolas Muzin e si pasojë mbyllën hetimet duke çuar çështjen në gjykatë.
“Nëpërmjet letër porosisë është kërkuar të pyetet shtetasi Nicolas Muzin i cili ka deklaruar se shifra prej 500.000 dollarë, kanë shkuar prej PD-s dhe shifra prej 150.000 dollarë e Binatta Trade është përdorur prej PD. Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi se ky deklarim nuk konfirmohet me asnjë provë tjetër të përdorshme, për rrjedhojë nuk mund ti nënshtrohet vlerësimit të gjykatës. Duke qenë vetëm përpara një deklarimi të shtetasit Nikolas Muzin mbi ekzistencën e faktit të pretenduar prej tij, gjykata nuk mund të nxjerrë përfundimin kategorik për vërtetësinë e deklarimit të këtij të fundit”.