Fondet për Teatrin Kombëtar, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra: Ne nuk ofrojmë financime, por ekspertizë

0
18
Gjigandi

Teatri Kombëtar është në qendër të debatit publik në Shqipëri pas shembjes së tij nga qeveria dhe protestave të një grupi artistësh që kërkonin mbrojtjen e tij. Një nga organizatat më të zëshme europiane në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, Europa Nostra zbuloi detajet e përpjekjes për ta restauruar atë në Ilva Now. Ndër të tjera, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra u pyet nga gazetarja Tare lidhur me pretendimet për sigurimin e fondeve.

Ju lutem, më lejoni t’ju drejtoj një pyetje që shpresoj se do të qartësojë situatën që po diskutohet ditët e fundit. Komuniteti i artistëve, i atyre që donin ta mbronin dhe ta ruanin godinën, po thonë se Europa Nostra premtoi fonde për rindërtimin e godinës, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se nuk ka dëgjuar kurrë për një ofertë të tillë për gjetjen e fondeve për rindërtim. Dhe ata gjithashtu po thonë se ju si organizatë do të kishit ndihmuar negociatat me bankat për një kredi. Cila është e vërteta lidhur me këtë çështje? A ofruat ju fonde për rindërtimin, sa nëse ky është rasti ose cili ishte premtimi juaj?

Sneshka Mihailoviç: Shumë faleminderit që e bëtë këtë pyetje. Sepse e kam dëgjuar shumë mirë që ka pasur thashetheme dhe gjithashtu edhe lajme të rreme që po qarkullojnë pas shembjes brutale të teatrit. Europa Nostra kurrë nuk ka ofruar apo ka vendosur para në tryezë, sepse ajo nuk është një organizatë financuese. Ne po ofrojmë ekspertizën tonë, po ofrojmë të vijmë e të flasim me të gjitha palët e përfshira, shoqërinë civile dhe ekspertët për të gjetur së bashku zgjidhjen për ta shpëtuar këtë godinë dhe për të gjetur një zgjidhje alternative për projekte të tjera zhvillimi që po diskutohen për Tiranën.

Pra, kurrë ne nuk kemi bërë premtime të tilla false, sepse kështu po nënkuptojnë disa persona për dhënien e parave. Por ajo që ne mund të themi është se Europa Nostra është një organizatë joqeveritare shumë e respektuar dhe e besueshme që ka punuar për shumë vite e dekada me institucionet e Bashkimit Europian.

Prej thuajse 20 vitesh, ne drejtojmë programin më prestigjioz europian të çmimeve për kulturën, së bashku me Komisionin Europian. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë, siç ju thashë, me Institutin e Investimit Bankar, pra, kur Europa Nostra e vendos një vend në listën e pikave të rrezikuara, ky është një stimul për të mobilizuar të gjitha forcat, private dhe publike, që të kuptojnë si mund të shpëtohet një vend i caktuar. Dhe pikërisht nga kjo marrëdhënie që ne kemi me Bashkimin Europian, nëse do të kishte pasur vullnet politik nga autoritetet në Shqipëri, ne me siguri do t’i kishim rekomanduar Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian të merrnin në konsideratë sigurimin e fondeve. Ju e dini mirë që Bashkimi Europian siguron shumë fonde për Shqipërinë dhe nuk kemi asnjë dyshim që ata do ta mendonin seriozisht një aplikim për të siguruar fonde për rinovimin e teatrit.

Njoftime falas, njoftime pune

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu