Emisioni investigativ “BOOM” në Rtv Ora solli mbrëmjen e sotme denoncimin e Albert Kazës. Ai ka qenë i punësuar në një kompani ndërtimi. Në datën 5 shtator 2017, teksa ishte duke punuar ai ka rënë nga kati i katërt i pallatit dhe është dërguar menjëherë në spital.
Dëmtimi në shtyllën kurrizore ka qenë aq i rëndë sa Algerti e ka humbur aftësinë për të lëvizur. Tani Algerti lëviz me anë të një karroce me rrota. Por, edhe pse ka qenë i siguruar te firma ku punonte, ai nuk ka përfituar KEMP si i aksidentuar në punë.
Algert Kaza: Jam aksidentuar në punë dhe më kanë nxjerrë në KEMP sikur jam rrëzuar në shtëpi. Vetëm 3 mijë e 500 lekë në muaj. Më thanë se nuk përfitoj se është bërë një ngatërresë, une jam aksidentuar në 5 shtator 2017 dhe është shkruar nga Inspektoriati i Punës sikur jam aksidentuar në datën 13 shtator. Kjo lëvizje datash me ka penalizuar.
Por si qëndron e verteta, aksidenti ka ndodhur me 5 apo 13 shtator? Gazetarja e “BOOM” takoi juristen e firmës së ndërtimit.
“Algerti është aksidentuar në datën 5 shtator. Ne e kemi lajmëruar Inspektoriatin e Punës në lidhje me aksidentin menjëherë. Por ato kanë lëshuar këtë procesverbal sikur Algerti eshte aksidentuar në datë 13”.
Për këtë Algerti duhet të hapë gjyq. Po çfarë thotë vetë Inspektoriati i Punës?
Aty sqarojnë se Algerti është aksidentuar në datë 5 shtator dhe për një javë Inspektori ka hetuar dhe pyetur rreth kësaj çështje dhe në datë 13 ka dorëzuar procesverbalin e aksidentit në punë
Pra ata pretendojnë se nuk ka asnjë parregullsi nga ana e tyre.
Gazetarja e “BOOM” kontaktoi me KEMP-in e Dibrës aty ku është vendosur se Algerti figuron sikur nuk është dëmtuar në punë. Punonjësja pasi kërkoi disa ditë kohë për të rishqyrtuar dosjen erdhi me përgjigjen.
“Algertit i ka dalë KEMP-i minimal sepse raporti që i është paguar gjatë kohës që ka qenë i sëmurë është raport i përgjithshëm dhe jo si i aksidentuar në punë. Ne ja kemi dërguar dosjen KEMP-it Epror për rishqyrtim bashkë me dokumentin që ju na sollët që është aksidentuar në punë.”
Ky është një rast flagrant mashtrimi dhe fshehje e dokumentave të një personi të aksidentuar.
Si ka mundësi që mjeku të shkruajë sëmundje e përgjithshme ndërkohë që ka procesverbal që Algerti është aksidentuar duke punuar.
Për më tepër ka dhe raportin e spitalit ku ka qenë shtruar se bashku me arsyen e shtrimit.
Fjalen e fundit pritet ta thote KEMP-i Epror.
BOOM do të vazhdojë me investigimin e këtij skandali derisa personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.