Është proceduar penalisht kryetari i Njësisë Administrative Cudhi dhe 6 kryepleq të fshatrave në Krujë, pas kontrolleve të territorit nga toka dhe ajri, me dronë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit.
Mësohet janë angazhuar rreth 100 forca policie dhe janë përdorur 2 dronë, të cilët kanë konstatuar disa ambiente ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në fshatrat Shkretë, Bruz Mal, Bruz Zall, Kroi i Madh, Rranxë dhe Cudhi Zall.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit O. K., 59 vjeç, me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Cudhi, A. P., 64 vjeç, S. S., 69 vjeç, M. H., 54 vjeç, S. V., 70 vjeç, A. B., 51 vjeç dhe Xh. Xh., 51 vjeç, me detyrë kryepleq të fshatrave ku u gjetën të kultivuara bimët narkotike cannabis sativa, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.
Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë, për të kontrolluar dhe zonat më të largëta, duke përdorur dhe flotën e dronëve.