Në Shqipëri nga dje kanë nisur aplikimet online për subvencionet në bujqësi për vitin 2020 përmes portalit E-Albania.
Gjatë një vizite në një fermë që kultivon fidanë të bimëve dekorative dhe drurëve pyjorë në Cërrik, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, iu bëri thirrje fermerëve të aplikojnë për këto fonde deri më datë 19 qershor.
Ai shpjegoi edhe njëherë cili është fokusi i Skemës Kombëtare të këtij viti.
“Përfitues të kësaj skeme në radhë të parë janë fermërët që merren me blegtori, të cilët do të marrin mbështetje drejtpërdrejtë për tufën e matrikulluar. Mbështetje kemi edhe për serrat e tunelet plastike që do të rinovojnë plastmasin. Gjithashtu do të japim subvencione për sipërmarrjet që do të kërkojnë të marrin çertifikimin Global GAP, për rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare, si dhe për sektorin e bletarisë”, tha ministri Çuçi.
Dita e parë ka pasur një fluks të lartë aplikimesh nga fermerët. E gjithë procedura kryhet online me zero dokumenta. Fillimisht bëhet regjistrimi në e-Albania, si qytetar, me të dhënat e kartës së identitetit. Më pas zgjedh llojin e fermerit, vendndodhjen e fermës, masën si dhe sasinë për të cilën do të aplikoni. Më pas klikon dërgo.
Në Skemën Kombëtare 2020 të mbështetjes së fermerëve janë parashikuar 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë në të gjithë vendin.