Tranzicioni demografik i cili është në një fazë kulmore aktualisht për shkak të plakjes së shpejtë të popullsisë, po nxit pjesëmarrjen e pensionistëve në tregun e punës. Gjithnjë e më shumë po shtohet armata e pensionisteve që janë të përfshirë në tregun e punës edhe pse i kanë kaluar të 65 vitet.
Sipas të dhënave nga INSTAT në vitin 2019 numri personave mbi 65 vjeç që punojnë është 62, 291 persona me një rritje 11 për qind më shumë se vitin 2018 ose 6279 persona.
Përfshirja e të moshuarve në tregun e punës është një tendence e pesë vjeçarit të fundit. Emigracioni i lartë i të rinjve, kundrejt një rritje të ofertës për punë nga bizneset, sidomos sektori i shërbimeve, ka nxitur moshën e tretë të punojë edhe pse në moshë pensioni.
Për të nxitur dëshirën për punë në moshat mbi 65 vjeç qeveria miratoi një skemë shpërblimi në vitin 2018, e cila nuk është vënë ende në zbatim për shkak të mungesës së udhëzimeve.
Në vendimin e qeverisë u vendos që për çdo vit që pensionisti që punon të marrë një shtesë mbi pension e caktuar prej 2.4 %në vit.
Mosha e tretë do të përfshihet gjithnjë e më shumë në tregun e punës në Europë dhe Shqipëri, për shkak se, rritja e rritja e jetëgjatësie i bën efecientë personat edhe mbi moshën 65 vjeç. Gjithashtu zhvillimi i teknologjisë mund të stimulojë punën në distancë për personat e moshës së tretë, të cilët mund të ndajnë përvojat e tyre sidomos në mësimdhënie, financë dhe shumë profesione të tjera.
Pensionistet që punojnë lehtësojnë skemat e sigurimeve shoqërore të cilat paraqiten mjaft të rënduara nga procesi i plakjes së popullsisë.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore parashikon se në tre vitet e ardhshme, 2020-2022 numri i pensionistëve që shtohen në skemën e sigurimeve shoqërore arrijnë në 48 mijë me një shtesë vjetore mesatarisht 16 mijë pensionistësh të rinj në vit.
Për shkak se këtë vit popullsia e vendit do të futet në procesin e plakjes së shpejtë të popullsisë, numri i pensionistëve do të rritet në vijim me ritme më të shpejta, shkruan revista monitor.
Sipas Ministrisë së Financave, mbulimi i efekteve financiare të shtesës natyrale të numrit të pensionistëve ka një efekt financiar rreth 13 miliardë lekë (105 mln euro).