Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi është i mendimit se vendi ka nevojë për një reformë zgjedhore që minimalisht të garantojë zgjedhje të pranueshme nga të gjithë. Gjatë një interviste për “Ilva Now”, z. Shehi diskutoi dhe mbi idenë e propozuar nga Ambasada Amerikane për miratimin e një sistemi zgjedhor të ngjashëm me atë që aplikohet në Danimarkë. Sipas, kreut të LZHK-së zyrtarisht nuk ka ndonjë sugjerim, por e mbështet idenë e ndryshimit të sistemit zgjedhor.
“Kam qenë gjithnjë për ndryshim sistemi. Por kemi disa pengesa. A ka kohë të mjaftueshëm? Por unë do të merrja me seriozitet çdo propozim nga pala amerikane. Unë do të doja sistemin e vjetër mazhoritar i korrektuar me proporcional. Partia ruante kuadrot e veta dhe korrektohej sistemi. Edhe ky ka difektet e veta. A është më e mirë lista e hapur? Lista e hapur ka një avantazh moral dhe krijon një elitë politike”, tha z. Shehi.
Por sipas tij çdo sistem është i cenueshëm nga blerja e votave. Ai solli shembullin se çfarë kishte ndodhur me kandidatin e tij në Korçë vite më parë. “Në vitin 2005, kandidova për deputet doktorin më të mirë që kishte Korça. Mori vetëm 400 vota. Fitoi një biznesmen që mezi rrotullonte fjalët, mori 1400 vota”, deklaroi kreu i LZHK-së.
Ndërsa Endri Shbani duke folur për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, tha se, vendosja e një sistemi mazhoritar nuk është në favor të Bashës. “Me një sistem tjetër zgjedhor është më kollaj të heqësh Edi Ramën, pasi ky sistem punon për Edi Ramën. Ka marrë 48% të votave, por nga ndarja territoriale fiton 7 deputetë më shumë”, tha ai.
Në fund, Dash Shehi komentoi edhe deklaratën e bërë sot në Parlament nga kryeministri Edi Rama ku tha se do të ndërtonte në një vend tjetër godinë e vjetër të Teatrit Kombëtar.
“Kjo është estrada më e madhe në Tiranë, kësaj i thënë shit qen, e blej këlysh. Teatri ishte qeni, tani e shesim këtë dhe marrim këlyshin. Teatri ishte aty për bukur dhe nuk ka më vlerë edhe sikur të ndërtohet aty siç ishte.
Teatri nuk është prish thjesht se i duhej sheshi, se sheshe ka sa të duash. Teatri është prish për t’u tregu se ky është i pari dhe e bën natën ditë. Ky u thotë ushtarëve tani fillon lufta me palën tjetër dhe do të përplasemi në mënyrë definitive. Ka menduar se edhe opozita do të dalin në bulevard dhe të hedhë shashka. E ka prish siç Neroni dogji Romën, të gjithë të marrët bëjnë nga ndonjë gjest në fund që të mbahen mend”, përfundoi z. Shehi.