Rihapja e kopshteve dhe çerdheve është bërë duke zbatuar një sërë rregullash për të shmangur përhapjen e Covid 19 në këto institucione. Për të bërë dezinfektimin e mjediseve por edhe për tu përgatitur për procesin mësimor, orari i pritjes kishte ndryshuar me 30 minuta më herët, ndërsa disa prindër thonë se nuk ishin informuar për këtë çështje.
1 qershori riktheu fëmijët në kopshte dhe në çerdhe. Dyert e këtyre institucionecve u hapën, por me rregulla strikte në bazë të protokollit të miratuar për masat anti covid.
Ndryshe nga çfarë ka funksionuar përpara covid, ku orari ishte 9 me 17:00. pas pandemisë afati i fundit për t’i dërguar fëmijët në kopshte dhe çerdhe është 8:30 për t’i lënë kështu kohë stafit të kryejnë procesin e dezinfektimit dhe zbatimin e protokollit.
I njëjti ndryshim orari është edhe në përfundim të ditës, tani më jo në 17:00 por në 16:30.
Për këtë ka ende prindër të cilët nuk janë informuar.
Disa prej tyre u paraqitën para institucioneve thuajse në orën 09:00, ndërsa pretendojnë se nuk janë informuar për këtë ndryshim.
”Jo, mua nuk më kishte ardhur njoftim. Dua të shkoj në shtëpi me fëmijët, punën e lashë për sot.”
Fëmijët shprehen se e pritën me padurim rikthimin në kopësht, por këtë të hënë nuk i pranuan.
”Më thanë që është mbyllur nga ora 9. Më kishte marrë malli sepse duhet të isha në kopësht që të mësoja dhe të rrija.”
Këtë të hënë në mjediset e kopshteve dhe çerdheve numri i fëmijëve është më i vogël se gjysma e nurmit normal, një kapacitet ky që prej institucioneve shihet si një anë pozitive për të shmangur kështu grumbullimet.
Dezinfektimi i ambienteve, ruajtja e distancës mes edukatorëve dhe fëmijëve, janë dy nga pikat kryesore të protokollit, ndërsa kërkohet që fëmijët mundësisht të shoqërohet nga prindi dhe jo nga gjyshërit.