Ministria e Shëndetësisë bëri publike fazën e dytë të rihapjes së vendit, ku theksoi se nga 1 qershori do të hapen çerdhet, kopshtet dhe plazhet, ndërsa transporti publik do të mbetet i bllokuar.
Mes bizneseve që do të rifillojnë punën nga 1 qershori janë edhe palestrat. Kufiri tokësor hapet nga e hëna, por ende nuk është përcaktuar se kur do të rikthehet transporti publik.
Në fuqi do të qëndroje edhe për këtë jave ndalimi i lëvizjes nga zonat e gjelbra në ato të kuqe dhe anasjelltas.
Në kuadër të fazës së dytë të hapjes së Shqipërisë, karantinimi i qytetarëve që vijnë në vendin tonë nuk do të jetë i detyrueshëm.
Vigjilence, distancim fizik dhe higjienë personale, janë masat më të rëndësishme që Manastirliu kërkoi të zbatohen nga të gjithë qytetarët, ndërsa theksoi se do vijojnë të jenë të ndaluara aktivitetet me grumbullime si ngjarjet sportive, ato kulturore apo tubimet.
Lëvizja e automjeteve – Të lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit.
Të rihapen çerdhet dhe kopshtet publike dhe private duke zbatuar protokollet e sigurisë të miratuara.
Kufijtë – Të hapen kufijtë tokësorë, duke pezulluar karantinimin dy javor, si një masë e cila është ndjekur nga vendet evropiane. Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet si masë në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC – Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve.
Plazhet – Nga data 1 Qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt. Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçante për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe. Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë procedurat e publikuara, duke informuar së çdo kush që shkel rregullat në plazh do të penalizohet.
Veprimtaritë sportive e kulturore – Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara.
Transporti publik – Do të vijojë të jetë i mbyllur transporti publik, për të cilin po punohet me Mininistrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një Plan i cili do të bëhet publik në një kohë të shpejtë.
Ndalohen kinematë, teatër, klubet, pishinat dhe dasmat – Po kështu do të vijojnë të jenë të ndaluara, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë dhe një thirrje për të mos patur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme.
Apeli – Ndaj një thirrje për më shumë përgjegjshmëri për të gjithë aktorët, palët politike, organizatat, që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të mos rrezikojmë duke thyer rregullat në një kohë kur virusi nuk është zhdukur dhe ku grumbullimet publike favorizojnë përhapjen e tij, në një kohë që çdo grumbullim, lëvizje dhe destinacion nëse konsiderohet jo i domosdoshëm të vlerësohet për t’u kryer në kohë apo forma të tjera të komunikimit.
Heqja e kufizime të fundjavës – Në fund të këtij komunikimi, ju informoj se duke filluar nga nesër, gjatë fundjavës e në vijim hiqen kufizimet e orareve për qytetaret dhe bizneset në zonat e kuqe dhe të gjelbërta. Edhe këtë fundjavë, në kuadër të monitorimit të situatës dy javore, nuk do të lejohet lëvizja nga zonat e kuqe për rezidentët e këtyre zonave. Për të gjithë vendin plazhet do të hapen sipas rregullave të mësipërme.