Tre deputetë të tjerë i janë bashkuar nismës së opozitës parlamentare për ndryshimin e dy neneve të kushtetutës që lidhen me zgjedhjet parlamentare, duke e çuar në 30 numrin e firmëtarëve të kësaj iniciative.
I pari që i bashkoi fimën ndryshimeve kushtetuese paraditen e kësaj të hëne, ishte Lefter Koka nga LSI, tani deputet i pavarur i cili thotë se sot më shumë se kurrë është koha që peshoren elektorale si për individët apo partitë, ta përcaktojë populli dhe jo dëshirat dhe marrëveshjet e fshehura të partive të mëdha.
Eksperimenti i dështuar i koalicioneve të mullixhinjve për inat të vjehrrës së radhës, nuk duhet ricikluar asesi më tutje në dëm të pastër të demokracisë. Uroj që edhe kolegët e maxhorancës të dalin hapur në mbështetje të kësaj reforme reale. Sepse as kartonat nuk do t’i gjejnë dot pa u hapur për reformën e kërkuar prej nesh dhe as popullin nuk kanë për ta gjetur dot të gatshëm për të vazhduar të votojë qorrazi listat 100% të mbyllura dhe koalicione si kuti të skaduara sardelesh!
Tërheqja e deputetëve Artur Rroshi dhe Besnik Troplini nga nisma për të ndryshuar kushtetutën e vuri në diskutim realizimin e saj. Kjo nisëm kërkon ndalimin e koalicioneve para zgjedhore, kundër saj doli partia demokratike e cila akuzoi mazhorancën se qëndron pas kërkesës së opozitës së re.
Nismës i duheshin 28 firma sipas kushtetutës dhe afrimi pranë saj i tre deputetëve, Lefter Koka, Reme Lala dhe Elena Xhina, pjesë e mazhorancës siguroi firmat e nevojshme sipas ligjit.
Sakaq disa parti të vogla që përfaqësohen në parlament me kryetarët e tyre të hyrë nga listat, pas një mbledhje dy orëshe në kryesinë e kuvendit paralajmëruan bashkimin e tyre në një koalicion zgjedhor.