Në zonën e ish fushës së Beksave në Tiranë pallatet shumë katëshe ndërtohen pa asnjë masë mbrojtëse për punonjësit.
Kompania nuk ka vendosur as skela dhe as rrjetën mbrojtëse, teksa punonjësit shfaqen nën rrezikun e rënies nga kati i nëntë
Ora News ka ngritur jo pak here shqetësimin për mungesën e kushteve të punës në ndërtimin e pallateve shumëkatëshe.
Madje vetëm pak ditë më parë një punonjës humbi jetën pasi ra nga pallati në zonën e fushës së aviacionit, ku ishte duke punuar në kompaninë Turdiu.
Ora News sjell sot pamje edhe më tronditëse.
Në këto pamje amatore, shfaqen dy punonjës në katin e nëntë të pallatit në ndërtim pranë zonës së oxhakut në atë që quhet ish fusha e Beksave.
Pa asnjë masë mbrojtëse dhe ku era në lartësi është e madhe, vazhdojnë të punojnë për ngritjen e katit të radhës.
Madje një prej tyre guxon dhe zbret në ballkonin provizor prej dërrase.
Sipas rregullores pallatet në ndërtim duhet të jenë të rrethuara me skela dhe me mbështjellësen e posaçme.
Kjo për të parandaluar që një punonjës të bjerë nga kate të larta, por dhe për të mos lejuar që nga lartësia të bien material të renda që do të shkaktonin dëme për kalimtarë.
Por pamjet flasin qartë, në këtë objekt nuk ka asnjë masë mbrojtëse.
Vetëm në një anë duket se janë vendosur skela, por në pjesët e tjera punonjësit janë në mëshirë të fatit.