Policia e Fierit ka ndaluar 2 persona për akuzat “Ndërtim pa leje” dhe për “Plagosje të rëndë me dashje”.
Shtetasi i arrestuar është 23-vjeçari me iniciale V.T. banues në Darzezë, Fier.
“Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin V.T., 23 vjeç, banues në Darzezë, Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në plazhin e Darzezës, u kap duke ndërtuar në pronë shtetërore një objekt me materiale druri (lokal) pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Ndërtim pa leje” – njofton policia.
Ndërkohë shtetasi tjetër i ndaluar është 33-vjeçari S.K., banues në Fier, pasi ka goditur një person tjetër me mjete të forta në kokë.
“Gjithashtu specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, ndaluan shtetasin S.K., 33 vjeç, banues në Fier. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në datë 08.05.2020, në lagjen “8 Shkurti”, për motive të dobëta ka goditur me mjete të forta shtetasin I.Gj duke i shkaktuar dëmtime në kokë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” – njofton policia.