Nisin hetimet disiplinor për gjyqtaren e rrethit gjyqësor në Krujë, Ekelejda Hoxha.
Burimet e gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, bëjnë me dije se gjyqtarja e Krujës është vënë nën hetim nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përcjellë ankesën e paraqitur nga ana e ministrisë së Drejtësisë pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Ankesa është regjistruar pranë zyrës së ILD me datë 25 shkurt të këtij viti. Në kuadër të shqyrtimit të ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë rezulton se ankesa ka qenë korrekte dhe në këtë mënyrë ka nisur hetimi.
Ministria e Drejtësisë në cilësinë e ankuesit ka parashtruar si rrethana të faktit të shkeljes së disiplinës për lirimin me kusht të të dënuarit Indrit Dokle.
Lirimi i Dokles u bë publik nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha. Gjyqtarja e Krujës, e cila ende pa dal në vetting, Enkeleda Hoxha, liroi nga burgu Indrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm, si anëtar i bandës së Durrësit, i akuzuar për disa vrasje, plagosje dhe krime të tjera.
Në të njëjtën mënyrë që gjyqtarja Hoxha, përdori për lirimin e Dokles, në nëntor të 2017-ës, ajo liroi Genc Tafilin, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar. Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha, është edhe ai i Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë. Paja u lirua disa ditë pas Tafilit.