Pas përplasjeve të shumta që shoqëruan prishjen e Teatrit Kombëtar, një grup të rinjsh vendosën që në shenjë revolte të ulen këmbëkryq në rrugën pak metra larg godinës, por shumë shpejt u përballën me dhunën policore.
Aktivisti Isa Myzyraj përcolli në rrjetin social disa foto të kësaj dhune, teksa u shpreh se pamjet transmetojnë disa prej akteve më të rënda që ai vetë ka parë në protesta.
“Kam vite të tëra që protestoj, dhe raportoj edhe për protesta, por ajo që kam parë sot në mesditën e së dielës, ka qenë një ndër aktet më të rënda që mund ta shihje live, që as nuk mund të përshkruhet në këtë shkrim, dhe as fotot nuk mund ta përcjellin, egërsinë e një shteti mbi qytetarin e vetë.
Nuk ka fotografi e video, që e përcjell ashtu si duhet, dhunën e ndodhur sot në mes të Bulevardit Dëshmorët e Kombit, dhunën e shtetit arrogant, e kriminal, mbi qytetarët e saj, të cilët kërkojnë asgjë më shumë sesa drejtësi, e mbrojtje të publikes”, ka shkruar Isa Myzyraj.