Kastriot Sterjo është një prej bletërritësve kryesorë në Përmet. Njerëzit e njohin për larminë e produkteve me baze mjaltin që janë krijuar prej vëmendjes dhe dashurisë së tij për natyrën.
Historia e tij nis vite më parë kur i duhej një zgjidhje për fëmijët që sëmurëshin shpesh.
“Kam punuar për 5 vjet në Itali në agrikulturë. Në atë kohë fëmijët i kisha të vegjël, më semureshin shpesh dhe ngela spitaleve atëherë vendosa të blija katër koshere dhe përveç mjaltit që u jepja femijëve më shumë për qumështin e bletës. Që atë vit fëmijët nuk panë me spital me sy.”
Duke vlerësuar kullotën e pasur për bletët në zonën e Shqerrisë Kastrioti e zhvendosi parkun disa vite më parë në këtë zonë ku banojnë edhe prindërit e tij të moshuar. Parku i vendosur në lartësinë 700 m arrin të sjellë mjaltë nga kate të ndryshme të bimësisë së pasur të zonës që lulëzon në periudha të ndryshme nga shkurti në tetor.
“Kam 4-5 vjet që parkun tim të bletëve nga lugina e kam zhvendosur në fshatin tim të lindjes për të qenë më afër prindërve, për t’ju dhënë një motiv bashkëfshatarëve të mos e braktisin zonën dhe për kullotën e pasur. Çdo bimë këtu çel më parë se në luginë dhe kjo është një ndihmë e madhe për bletët. Kullota këtu vjen gradualisht nga muaji në muaj duke filluar me pemët frutore, bajamja çel që në 15 shkurt, vazhdojnë kumbullat, kajsitë dhe më pas tërfili, grashina, fillon shkoza që është me shumicë këtu. Fillon lisi në korrik sepse natyra i ka bërë që të vijnë rradhë- rradhë. Pastaj bedunica që ka një mjaltë ngjyrë jeshile shumë kurativ.”
Bletërritja për Kastriotin nuk është vetëm një pasion. Ajo është kthyer në një burim jetese duke i kushtuar çdo ditë më shumë kohë dhe vëmendje. Ai shoqëron për në parkun e bletëve edhe klientët e tij që duan të jetojnë një eksperiencë ndryshe. Kurioziteti për të kuptuar ritualin e shërbimeve për bletën është i lartë vitet e fundit duke e kthyer edhe vizitën në parkun e bletëve në një eksperiencë turistike.
“Ka shumë persona sidomos persona që kanë kërkesa për produkte bio që vijnë këtu për të parë ku prodhohet mjalti që unë tregëtoj në Përmet por edhe në panaire. Vijnë edhe emigrantët nga Greqia, Italia e Amerika ku unë e tregëtoj mjaltin. Kanë dëshirë ta shohin vetë ku prodhohet ky mjaltë dhe kanë dëshirë të shohin edhe fshatin se është diçka e rrallë.”
Kastrioti falë pasionit ka arritur të krijojë më shumë se 10 produkte me bazë mjaltin, të gjitha me veti të veçanta kurative, duke nisur nga rakia e mjaltit, uthulla e mjaltit, kremi i duarve me bazë mjaltin, qumështi i bletës etj. Kastrioti i ndërton vetë kosheret dhe ka realizuar po vetë zgjidhje termoizoluese për to. Bletërritesi po i ofron tregut një model të ti të të bërit biznes, që më shumë sesa me mundësitë për të investuar lidhet me pasionin dhe krijimin e produkteve autentike.