Provimi i maturës së Gjuhë-Letërsisë hapi një debat të gjerë në rradhët e maturantëve dhe shumë ekspertëve të arsimit dhe ministrisë përkatëse për mënyrën e hartimit të saj.
Prej ditësh maturantët, të cilët kanë dalë në protestë, kërkojnë rishikimin dhe vlerësimin e kësaj teze për të afruar më shumë pragun e vlerësimit.
Akademiku Artan Fuga nuk i ka kursyer kritikat ndaj hartimit të këtij provimi ku i konsideron pyetjet pa baza referenciale.
I ftuar në Ora News, ai shprehet se teza është hartuar për fëmijë dhe disa pyetje ishin strukturuar gabim.
Sipas akademikut, kjo na çon në një reaksion zinxhir, pasi pyetjet e gabuara kthehen në padrejtësira të përjetuara nga maturantët. E më pas dhe niveli intelektual i brezit të ri është i vakët.
Fuga: Nuk ka as shkollë sovjetike e as shkollë Oxfordi, jam detyruar të bëj një studim. Ka një infantilizëm në përmbajtjen e pyetjeve. Bëhen pyetje që janë për fëmijë sepse janë pyetje të cilat nuk kanë asnjë bazë referenciale. Ju i referoheni asaj pyetjes me Turin nëse është marrë nga një tezë në Oxford. Aty jepej historia e plotë dhe kërkohej që nga pikëpamja gjuhësore sa kishte kuptuar kandidati tekstin dhe përgjigjet brenda tekstit.
Në rastin tonë edhe marrja është bërë në mënyrë të gabuar. Është marrë një copëz dhe i kërkohet nxënësit të zhvillojë nga pikëpamja e veprimit konkret dhe nga pikëpamja e rrëfimit të aksionit të cilat nga pikëpamja fenomenologjike janë bashkë në atë që e quajmë integrim intensional, i kërkohet të përgjigjet me pyetje të mbyllura ndërkohë kur të gjitha përgjigjet që mund të jepeshin ishin të pranueshme sepse nuk mund të hamendësosh në mënyrë arbitrare egon subjektive të personazhit, Turit, autorit të tekstit dhe të atij që lexon i cili këto 3 subjektivizma mund të shkojnë në plan të lirë.
Pyetja ishte komplet e gabuar dhe kjo kthehet në pikë dhe pastaj kthehet në padrejtësira të përjetuara nga maturantët. Na del një brez i ri që na thotë gjëra në kanalet tona që janë shumë të rënda. Aty mund të ketë pyetje por të ndërtohen në bazën e një reference. Në gjuhësi dhe letërsi ka një krijimtari tradicionale shqiptare që mungon. Mungon e tërë literatura klasike europiane e perëndimore në veprat më të mira që ka vepra sot. Kemi një rini që u kërkohet të luajë domino. Në momentin kur sot kultura letrare në botë është e hapur dhe ne kemi mundësi për ta integruar. Është e palejueshme aq më shumë që edhe nga pikëpamja e krijimtarisë së sotme shqiptare aty nuk kishte asgjë.