Frrok Çupi zbulon ‘të fshehtat’ në zyrën e Ilir Metës

0
Gjigandi

Nisur nga ringritja e problemit të Teatrit Kombëtar, nga një vendim i qeverisë për të kaluar pronësinë Bashkisë së Tiranës, fill pas kalimit të rrezikut të madh të Covid-19, u rizgjua grupimi për mbrojtjen e saj.

Në skenë për mbrojtën e tij, përveç artistëve dhe aktivistëve është përfshirë dhe politika.

Për analistin Frrok Çupi Teatrit Kombëtar tani i ka ardhur koha që të rritet në përmasat e kombit.

Në analizën e tij ai shprehet se Teatri është fron i kombit. Sipas tij Teatër i Madh do të thotë manifestim i madh i vlerave shpirtërore kombëtare; do të thotë liri për të luajtur tragjedinë dhe komedinë e vet.

Ai krahason dhe zyrën e presidentit me vilën që ka Ilir Meta në gjirin e Lalëzit.

RonaTyra

Shkrimi i Frrok Çupit

Pse nuk u bë i Madh kurrë Teatri Kombëtar, një jetë të tërë?… A mund të pyesni pak?

Ose të paktën pyetni Pandeli Majkon… Në vitin 2002 (numër viti njësoj si 2020), Pandi mori rrugën drejt Greqisë, krejt si dëgjues naiv i jehonës së Mitologjisë Greke, dhe trokiti në ‘portën e Perikliut’, dmth., në qeverinë greke të 25 shekujve më vonë. ‘Dua edhe unë një Teatër për Shqipërinë’, tha djaloshi tipik e impulseve atdhetare. Nuk është ky një akt fluturues, sado që mbështillet me një tis fëmijëror, i kryetarit të një qeverie të sapo dalë nga ‘tragjedia eskiliane e vitit 1997- 98’. Në fakt është një akt që emocionon: Kishin kaluar 2500 vjet që nga fillesat e Teatrit të madh të Athinës, ndërsa këtu në kufi me Greqinë kishim mbetur ‘kacolle’ teatrore…

As me ndihmën e Athinës nuk mundi të bëhej i madh Teatri Kombëtar i Shqipërisë. Tani që prapë po tentohet që shqiptarët- ky popull tragjik dhe vital,- të ketë një Teatër të madh siç edhe vetë bota shpirtërore e kombit është- edhe kësaj here…

Nuk është punë mallkimi, është punë e përmasave të njeriut. Gjithmonë kanë protestuar dhe kanë fituar liliputët të drejtën për t’i pasur të gjitha gjërat të vogla: Këpucët, bankën dhe dërrasën e zezë, lugën, tavolinën, bidenë… Dhe në të shumtën e rasteve kanë fituar deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kundër kujt fitojnë të veckëlit? Kundër shumicës, sepse shumica është normale dhe mund t’i blejë çorapet në çdo dyqan, pa mundim. Fitojnë, sepse shumica u hap rrugën si të vegjël që janë…

Teatrit Kombëtar tani i ka ardhur koha që të rritet në përmasat e kombit.

Po çfarë ndodh prapë? Prapë tërheqin ta mbajnë Teatrin Kombëtar, ashtu siç ishte, të vogël, të vogël… Prapë çështje përmasash njerëzore. Njerëzit e vegjël e duan kombin në shpërgënjtë, të vogël sa një bebe; edhe simbolet e kombit kështu i duan. Në këtë rast rreth teatrit janë mbledhur politikanët që po betohen se do të derdhin gjak. Kanë të drejtë, sepse fundi i politikanëve kriminalë lidhet më Teatrin e Madh. Edhe fundi i prapambetjes kombëtare po me këtë lidhet.

Puna ka ardhur në këtë pikë: Çdo gjë që i përket kombit duhet më e vogël se ‘padrino’. Kemi hyrë në këtë rrugë tragjike si në dublin real të Eskilit dhe po shkojmë në greminë. Na kanë marrë këta kriminelë dhe o do të na fusin në fabrikë e të na zdrukthojnë, o do të na bëjnë skllevër të tyre. Sepse duhet të jemi të vegjël, më të vegjël…. Këta po e arrijnë të tyren.

Ja shikoni:

A nuk është selia e Presidentit të Republikës më e vogël dhe më e rrënuar se vila e presidentit në Gjirin e Lalëzit? Dhjetë herë më e vogël dhe më e pa kuruar. Kjo seli, e ndërtuar për Rusinë e Madhe në vitin 1956, tani është kthyer në një leckë për të fshirë Lalëzin. Këtu zyra duket sa një furrik- jo më shumë, ku të flitet vesh më vesh për paratë, për intrigat, dhe për larje hesapesh. A nuk është çdo qytetar, çdo shkrimtar, artist, filozof.., i kombit njëmijë herë më i varfër se çdo injorant qeveritar? Po e arriti kupola e shtetit të popullit madhështinë e kupolës personale, atëherë bëhet luftë e derdhet gjak- siç deklaroi zonja e parë te Teatri.

Edhe diktatori komunist Hoxha hyri në krizë ditën kur monumentet e kultit i zunë frymën. Në ‘kult’ qëndronin zoti dhe populli…U përpoq sa të duash, edhe ai shpëtimin e kërkoi te vila personale, ndërtoi një të madhe që t’i bënte hije Komitetit Qendror, vrau kryeministrin aty pranë po për shkak të vilës që iu duk më e bukur, hodhi në lumë eshtrat e  Gjergj Fishtës…, e gjitha për shkak të përmasave. Të gjitha i dukeshin më të madha dhe do t’i ‘sharronte’. Edhe Teatrin e kishte futur në një depo ushtarake italiane për të thënë se ‘popolo albanese’ kaq e ka. I vetmi komb që është rrahur dhe ia kanë marrë selitë gotike për zyra pushteti. Emrin e Teatrit e vuri ‘Popullor’ si të thuash një ‘depo popullore’, ‘treg popullor’, ‘aheng popullor’. Teatri kurrë nuk mund të bëhej i ‘Madh’ nën atë mizori.

Teatri është fron i kombit. Teatër i Madh do të thotë manifestim i madh i vlerave shpirtërore kombëtare; do të thotë liri për të luajtur tragjedinë dhe komedinë e vet. Se po të imagjinohej një Teatër i Madh, atëherë duhej edhe një klasë e lartë që të frekuentonte atë Teatër. Atëherë ky vend dhe ky komb do të lejohej të kishte qeverisje me ligj, klasë ose qeverisje aristokratike, ose Oligarki, ose Politea…

Jo, këtë komb e kanë shënuar për të qenë zhuls, që të hyjë në një teatër bashkë me mijtë e mureve të vjetra, që të mërdhijë e t’i kërcasin dhëmbët në lojën e aktorëve kushërinj… Ja kaq.

Edhe këta të tanishmit e duan Teatrin më të vogël se vilën personale, spektatorët i duan të nënshtruar e me shije më të ulëta se vetë zonja e parë, lëngaraqë e të vegjël, pa frak, pa papionë, pa parfume dhe bizhuteri klas.

Historia tragjike po luhet në fushën ku historia e disa kombeve të tjerë tashmë e ka kaluar: Këtu po luhet kjo: Individi, qoftë ky vrasës me pagesë ose president, të jetë më lart se kombi dhe se shteti komb? Trendi i civilizimit modern po tenton të forcohen kombet, të forcohen qeveritë, ligjet, dhe këto të mbrojnë jetën dhe klasin e njeriut.

Po sikur ky lloj ‘individi’ të na marrë për gryke shtetin komb? Nuk është e largët dita, sepse këta kanë pasurinë dhe skllevërit që i lëshojnë për ta mbajtur më të ulët se vetja ‘Kombëtarin’ (qoftë teatër, qoftë nder, qoftë mirëqenie, qoftë lugë, por ‘e Kombit’).

Atëherë e kemi keq punën…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu