Megjithëse në periudhë të pandemisë, specialistët e shërbimit pyjor kanë ngritur shqetësimin për dëmtimet në masivet e pishave në shumë zona të Shqipërisë për shkak të përhapjes së gjërë të dëmtuesit të procesionares. Inxhinjeri i pyjeve në zonat e mbrojtura të Qarkut të Shkodrës, Tonin Macaj, thotë se procesionaria ka përparuar në zonën e mbrojtur nga Thethi deri në atë të Shalës.
“Ndryshimet klimatike kanë dhanë efektin e vet dhe ne po shikojmë që gjeneratat e procesionares po çelin shumë heret, fillojnë nga muaji shkurt, që normalisht në zonën e Dukagjinit duhej të ishte diku nga muaji maj. Për këtë arsye, insekti krijon mundësi për të pasur sa më shumë gjenerata dhe, si e tillë, ka shkaktuar dame të mëdhaja në këto masive.”
Insketi i procesionares po ndikon në tharjen e njëpasnjëshme tëpishave. Vitet e kaluara janë ndërmarrë disa operacione për pastrimin në mënyrë mekanike të procesionares, por rezultatet kanë qenë të pakta. Ndaj, këtë vit ka nisur një program i ri për luftimin e procesionares në mënyrë biologjike, duke marrë përvojë dhe mbështetje nga vendet e tjera, ku ajo është shfaqur. Profesor Ramiz Metaliajt thotë se në laboratorin e ngritur pranë Fakultetit të Shkencave Pyjore është shumuar insekti i kalosomës, i cili përdor si ushqim larvën e procesionares dhe se ka nisur hedhja e këtij insekti në masivet pyjore me pisha në Pukë dhe disa zona të tjera të vendit, me synim për të rivendosur ekuilibrin biologji.
“Kishim planifikuar që këtë vit të kishim diku rreth 17 mijë larva të reja të prodhuara, ose individë të rinj të prodhuar që t’i hedhnim në pyjet e Shqipërisë. Kushtet e karantinës na kufizuan, kemi shkuar diku tek rreth 1400 individë të prodhuar në laborator. Nuk është pak për kushtet që kishim. Hodhëm pak në Llogara, pak në Malësi të Tiranës dhe tani në Pukë.”
Drejtori i zonave të mbrojtura për Qarkun e Shkodrës, Agim Dardha, thotë se procesionarja, ky dëmtues që po shkatërron pyjet e pishës thuajse në të gjithë Shqipërinë, ka dhënë ndikimin e vet negativ edhe në zonat e mbrojtura.
“Ky dëmtues ka edhe një veti tjetër se krijon alergji kur është në fazën e larvës dhe është një problematikë për fëmijët që vizitojnë këto zona. Dhe, metoda më e mirë dhe efikase për luftimin e saj është ajo biologjike që, për fat të mirë po realizohet edhe në Shqipëri, dhe besoj që brenda tre viteve të eleminohet në maksimum.”
Programi për luftimin në rrugë biologjike të procesionares së pishës, sipas specialistëve, ndihmon në vendosjen e ekuilibrit biokogjik në masivet me pisha, duke shpëtuar këtë pasuri të madhe pyjore të vendit, e cila gjatë 30 viteve të fundit ka pësuar dëmtime të mëdha për shkak të prerjeve të paligjshme, por edhe nga zjarret, të cilat në një pjesë të madhe të rasteve kanë qenë të qëllimshme.