Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me deklaratën e Ramës pas marrëveshjes së reformës zgjedhore, i cili deklaroi se Basha u kthye në realitet pas djegies së mandateve.
Në një postim në facebook, Bardhi thotë se Edi Rama bën mirë të rrisë dozën e qetësuesve për të mbajtur nën kontroll nervozizmin pas tërheqjes me bisht ndër shalë nga skema mafioze për kapjen e komisioneve zgjedhore.
Bardhi: Frika dhe mllefi sot dhe mbrëmë tregon qartë se nuk i mjaftojnë më as paratë e pista dhe krimi i organizuar për të vjedhur zgjedhjet. Bashkimi i qytetarëve kundër tij e ka tmerruar, duke e kthyer në një komentator qesharak, që flet me veten!
Sa për vjedhjen e zgjedhjeve e 2017-ës, Bardhi thotë se “Edi Rama nuk do ketë më mundësi t’i fshihet kushtit nr.5 të BE për hetimin dhe dënimin e hajdutëve të zgjedhjeve të 2017-ës. Përgjimet e publikuara nga BILD i ka dëgjuar bota mbarë, që nga Niçja i drogës tek Gjushi i Ramës, i shpallur non grata nga SHBA”.
Gazment Bardhi thekson se PD dhe Opozita e Bashkuar nuk tërhiqet asnjë hap nga presioni dhe kurthet e Edi Ramës.
Bardhi: Mbrëmë i çmontuam kapjen e komisioneve zgjedhore. Bashkë me shqiptarët do të mbrojmë çdo votë dhe do të fitojmë!