Selitë diplomatike në vendin tonë janë vënë në lëvizje pas rritjes së tensionit politik për shkak të prishjes së teatrit. Trojka e Ambasadorëve të BE-së u takuan që në mëngjes me opozitën e bashkuar, ndërsa Ambasadorja e SHBA-ve, takoi kryeministrin Edi Rama. Basha tha se ne fokus te takimit ishte integrimi i Shqipërisë dhe situata e veshitrë ekonomike dhe politike që po kalon vendi.
Tensionimi i situatës politike pas prishjes së Teatrit Kombëtar, ka vënë në lëvizje trupin diplomatik në vendin tonë.
Në orët e para të ditës së martë, Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian bashkë me ambasadorin Soreca, u takuan me opozitën e bashkuar, ku kanë diskutuar për më shumë se 90 minuta.
Asnjë nga Ambasadorët nuk u prononcua për mediat, ndërsa Lulzim Basha, pasi i shoqëroi deri në dalje, tha se takimi në fokus kishte kushtet e BE-së për integrimin dhe situatën ekonomike.
Basha: Dy shqetësimet kryesore që kamë ndarë me ta. E para që ky Kryeministër e kjo qeveri, jo vetëm nuk po e ndihmojnë, por e pengojnë integrimin, ku I kam siguruara që unë personalisish dhe I gjithë koalicioni opozitar do të bëjë gjithçka për të ecur përpara me procesin e integrimit dhe së dyti, katastrofa ekonomike që ndohet vendi dhe që së bashku me BE të farkëtojmë një plan jo për të dalë nga kjo situatë, por një plan afatmesëm dhe afatgjatë masash për të mbështetur njerëzit, familjet shqiptare, veçanërisht për krizën ekonomike, punësimin që po kthehet në një plagë që ishte e madhe edhe para pandemisë.
Një ditë më parë opozita nuk mori pjesë në Këshillin Politik, por Lulzim Basha, në interes të medias, tha se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për kryerjen e kësaj reforme dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira.
Basha: Kjo nuk varet nga ne. Ne nuk mund të sillemi si një fasadë e këtij procesi…Vullneti nuk shprehet me fjalë, por me vepra dhe veprat e javës së kaluar treguan se kjo qeveri nuk ka asnjë vullnet për reformën zgjedhore. Kurrë më shumë se sot topi nuk ka qënë në derën e PS-së. Ajo është përgjegjëse për refuzimin e propozimeve tona deri tani, përgjegjëse për krijimin e një klime penguese për reformën zgjedhore. Ne nga ana jonë do të bëjmë gjithçka që t’i japim shqiptarëve një orë e më parë ashtu siç edhe e kemi premtuar, kushtet më të mira për zgjedhje dhe rastin më të parë për t’iu drejtuar kutive të votimit.
Zhvillime pati dhe në selinë e qeverisë. Vetëm pak pasi ambasadorët e vendeve të BE-së lanë zyrën e Bashës, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, u pa të hynte në Kryeministri, në një takim me kreun e qeverise Edi Rama.
Takimi erdhi në një moment kur artistët nëpërmjet një letre i kanë kërkuar Ambasadës së SHBA-ve hetim ndërkombëtar për çështjen e teatrit.
Ambasada amerikane përmes një postimi në facebook shkruan se Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua sot me Kryeministrin Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit.
Në takim, Ambasadorja theksoi rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje, në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE.
Ata u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakortësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë.
Ambasadorja Kim do të takohet edhe me kreun e PD-së Basha së shpejti.