Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ka vizituar nga afër Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, i cili ka vijuar punën pa u ndalur që nga dita e parë e epidemisë për diagnostikimin e COVID19.
“Puna nuk ka ndalur për asnjë orë të ditës dhe të natës për të patur rezultatet në kohë reale, për të analizuar të gjithë territorin e vendit, për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet e shëndetësisë. Ne sot jemi në rreth 190 raste aktive, të cilat janë të shpërndara në 4 qarqe kryesore, por nga ana tjetër ajo çfarë nevojitet është vijimi i testimit dhe vijimi i gjurmimit të kontakteve të rrethit të parë, të rrethit të dytë, ashtu siç tashmë edhe në strategjinë e miratuar nga Komiteti i Ekspertëve është përcaktuar dhe është ndjekur”, tha Manastirliu.
Duke falënderuar stafin për punën dhe sakrificën gjatë kësaj periudhe, Manastirliu u shpreh se, në fazën e rihapjes, do të intensifikohet testimi për gjurmimin aktiv të rasteve, ndaj edhe janë marrë të gjitha masat për forcimin e kapaciteteve në Laboratorin e Referencës në ISHP. 11 mijë teste të tjera kanë mbërritur në këtë laborator, financim i qeverisë shqiptare.
“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ky laborator do të vijojë të ofrojë të njëjtin standard dhe do të jetë edhe në vijim i furnizuar, pasi çfarë kemi bërë deri sot është që kemi qenë në një linjë me strategjinë e miratuar edhe me të gjithë rekomandimet e strukturave ndërkombëtare. Çfarë duhet tashmë nga ky moment dhe në vijim është forcimi i kapaciteteve të laboratorit të Insitutit të Shëndetit Publik për të vijuar dhe për të patur testime, për të gjurmuar dhe për të izoluar çdo rast të dyshuar”, tha Ministrja e Shëndetësisë.
Duke u ndalur tek testimet serologjike, Ministrja Manastirliu deklaroi se edhe në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë kryer deri tani mbi 1 mijë testime tek personeli shendetesor, duke vlerësuar si të suksesshme strategjinë e Komitetit Teknik të Ekspertëve.
“Nga ana tjetër kemi vijuar me testimet e serologjisë për evidentimin e krijimit të antitrupave tek grupet e riskut. Janë më shumë se 1 mijë personel shëndetësor të cilët kanë kryer analizën serologjike. Rreth 8% e tyre kanë krijuar antitrupa, pra rezultojnë 8% që kanë IGG positive”, tha Manastirliu.
Drejtuesja e ISHP, Albana Fico tha se po vijon furnizimi në vijim me testet e nevojshme, ndërsa drejtuesja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi se po zgjerohen qendrat sentinel dhe po vijojnë trajnimet në të gjithë vendin për gjurmimin e rasteve të dyshuara.
Manastirliu bëri apel që në këtë fazë të rihapjes të rritet vigjilenca e strukturave dhe të përmirësohet sistemin i informacionit përsa i përket sistemit parësor në raport me qendrat sentinel, në raport me mbikëqyrjen aktive dhe me të gjithë spitalet e vendit, për të mundësuar që në kohë reale testimin e rasteve, gjurmimin dhe izolimin në mënyrë që ne të kemi parandalim dhe kufizim të përhapjes së virusit.