Vendi drejt dy palë zgjedhjeve në nëntor, Basha nis përzgjedhjen e kandidatëve

0
Gjigandi

Marrëveshja e së premtes për reformën zgjedhore duket se ka qenë më e thellë seç duket. Në pamje të parë ky pakt nuk është se do të sjellë ndonjë revolucion në zgjedhjet shqiptare, por në prapaskenë po flitet se kjo marrëveshje i ka hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme. PD dogji mandatet pikërisht për të shkuar te zgjedhjet e reja, ndërsa po ashtu braktisi zgjedhjet vendore. Këto të fundit nuk është se janë njohur shumë nga ndërkombëtarët dhe burime nga PS nuk e përjashtojnë mundësinë që kur të kemi zgjedhje të përgjithshme të kemi edhe zgjedhje vendore. Por dje ka qenë kreu demokrat Lulzim Basha ai i cili ka dhënë sinjale të forta se nuk është çudi të kemi zgjedhje në vjeshtë. Me ndryshimet e reja, zgjedhjet do mbahen mes datave 15 prill-15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor dhe nuk është çudi që në fund të nëntorit të kemi dy palë zgjedhje. Kreu i PD mblodhi dje Kryesinë e partisë dhe u vendos që të nisë përzgjedhja e kandidatëve si për pushtetin vendor ashtu dhe për atë qendror. Burime nga PD bënë me dije se opozita po përgatitet për dy palë zgjedhje. Fakti që shton më tepër dyshimet se mund të kemi zgjedhje të parakohshme është se Basha ka ngarkuar bazën që kandidatët t’i paraqesin brenda 15 shtatorit. Normalisht lind pyetja: Nëse do kemi zgjedhje në prill-maj, pse duhen kandidatët në shtator? Dyshimet janë se palët po punojnë që të kemi zgjedhje në vjeshtë. Ndërkohë një tjetër alternativë e mundshme është që të ketë zgjedhje vendore në vjeshtë dhe në prill të kemi gjendjet e përgjithshme.

Pika 12 e paktit dhe teknologjia

Nëse shihet marrëveshja e dakordësuar, aty ka disa pika që ngrenë pikëpyetje. Vërtet PD këmbëngul te identifikimi biometrik 100 për qind, por është lënë në dorë të ekspertëve të vendosin se sa mund të shtrihet një projekt i tillë. Pra nëse deri në vjeshtë ekspertët thonë se nuk bëhet aq lehtë palët dakordësohen që të shkojnë në zgjedhje si vitet e shkuara. Pra në bazë të paktit teknologjia nuk është dhe aq pengesë për zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë kemi pikën 12 të marrëveshjes e cila thotë: “Pikat e 1,2,3 7,8,9, 10 e 11 dhe shënimet më poshtë hyjnë në fuqi për zgjedhjet e pritshme parlamentare e lokale. Pikat 4,5,6, hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare e lokale”. Pra nuk përcaktohet se për cilat zgjedhje bëhet fjalë, duke ngritur dyshime se pjesa e parë flet për zgjedhje të parakohshme.

PD nis fushatën

Basha dje foli dhe për mediat pas takimit me Kryesinë, ku u duk qartë se ka ndezur motorët për zgjedhje. Basha deklaroi se ekonomia do të jetë në qendër të programit të tij qeverisës. “Sfida më e madhe e çdo familje, e çdo shqiptari, është kriza ekonomike. Kjo krizë nuk mund të zgjidhet nga ata që zhvatën Shqipërinë. Ndaj e gjithë vëmendja jonë është tek e ardhmja. Ndaj PD dhe opozita e bashkuar janë të vendosur të paraqesin platformën ekonomike kudo në Shqipëri. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, do të kemi në fokus ringritjen ekonomike. Ky do të jetë përqendrimi i gjithë energjive tona. Do përqendrojmë gjithë energjinë tonë te fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe zgjidhja e krizës së rëndë ekonomike, duke iu ofruar planin tonë shqiptarëve, për t’u kthyer ekonominë atyre”, tha Basha. Burime të gazetës bënë me dije se në ditë në vijim do ketë takime dhe me krerët e degëve dhe po përgatiten një sërë udhëzimesh mbi mënyrën se si duhet të veprojnë për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhje.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu