Bashkia e Tiranës me të njëjtin nxitim që veproi për shembjen e godinës së teatrit, po vijon për lirimin e hapësirës ku do ndërtohet teatri i ri. Të gjitha çfarë mbetën nga historia e Teatrit Kombëtar po ngarkohen në kamionë për tu hedhur landfillin e Sharrës.
Tiranë- Me të njëjtin nxitim që nisi puna për prishjen e teatrit, Bashkia e Tiranës po vijon për transportin e inerteve dhe lirimin e hapësirës ku pritet të ndërtohet teatri i ri kombëtar. Ora News ka ndjekur këtë të martë punën për transportin e inerteve.
Pas daljes nga ai që tashmë do të quhet kantieri i ish-teatrit, kamionët nisen drejt rrugës së Elbasanit, për të vijuar në Unazë, më pas në Kombinat dhe më në fund në landfillin e Sharrës, aty ku do të jenë pjesë e mbeturinave të qytetit edhe dosje, gardëroba apo elementë të tjerë të përdorur ndër vite nga artistët e teatrit.
Por para se kamionët të futen në brendësi të landfillit, ndalojnë që disa prej mbetjeve të teatrit ti hedhin në rrugë.
Këto mbetje siç duket e kanë një vlerë, pasi me t’i hedhur kamioni në rrugë, një makinë e Bashkisë ndalon dhe i ngarkon për ti çuar nuk dihet se ku.
Në landfillin e Sharrës janë depozituar të gjithë mbetjet e teatrit, ndërsa kamionët nuk ndalojnë punën për lirimin e tokës, duket për ta bërë gati për nisjen sa më parë të punës ndërtimore.
Janë të paktën 10 kamionë të cilët vijojnë punën pa ndërprerje deri në përfundim të punës.