Komisioni i Venecias miratoi një ditë më parë opinionin përfundimtar lidhur me përplasjen e vjeshtës së kaluar në Shqipëri, mes presidentit Ilir Meta dhe shumicës socialiste në parlament, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, duke i dhënë të drejtë Kreut të Shtetit në interpretimet e tij, të cilat në të kundërt u konsideruan nga socialistët si një shkelje e Kushtetutës.
Ish-deputeti Vangjel Tavo thotë se raporti përfundimtar i Venecias tregon qartazi nivelin ku gjendet drejtësia shqiptare.
Tavo: Venecia i ka dhënë të drejtë presidentit për zgjedhjet e 30 qershorit, emërimet në Kushtetuese, kthimin e ligjit për mediat dhe pronat. Venecia u ka thnë shqiptarëve dje që në Shqipëri i vetmi institucion që ka bërë zero shkelje të Kushtetutës është Presidenti. E ka zhveshur lakuriq këtë mazhorancë para shqiptarëve, një mazhorancë që ka bërë një numër jo të vogël ligjesh në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të përfituar ata politikisht. Venecia e theksoi se KED e Dvoranit ka krijuar një përplasje institucionale.
Në një intervistë për Ora News, ish-deputeti i LSI-së nuk u kursye edhe në komentet për kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Tavo: Sa i përket komenteve të zotit Balla, mund t’ju them se nëse për 122 deputetë që kanë votuar këto ligje, këto inisiativa antikushtetuese, Venecia u ka dhënë nga një shpullë secilit në fytyrë, mesa e pashë zotin Balla ishte i nxirë, duhet të ketë ngrënë ndonjë grusht nga komisioni i Venecias. Nëse të gjithë knë marrë nga një shpullë, këta kryesorët nga Kryeministri kanë marrë nga një grusht dje nga Venecia.Ka edhe shumë çështje të tjera që janë në proces dhe do të dërgohen në Venecia.
Por pavarësisht opinioneve të Komisionit të Venecias për Paketën antishpifje dhe Gjykatën Kushtetuese, PS ka ndërmend ta çojë deri në fund hetimin parlamentar të Presidentit për dekretin e 30 qershorit.
Për Tavon, Venecia foli qartë dhe Kuvendit pas shpullës së marrë një ditë më parë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ulë kokën dhe të reflektojë.
Tavo: Mazhoranca mund të bëjë çfarë të dojë, një gjë është e qartë: Presidenti shkarkohet për shkelje kushtetuese. Nga momenti që Venecia, institucioni kryesor pas Gjykatës Kushtetuese që mungon qëllimisht, thotë se Presidenti ka qenë gardian i Kushtetutës, Kuvendit të Shqipërisë nuk i mbetet gjë tjetër pas shpullës së ngrënë nga Komisioni i Venecias veçse të ulë kokën dhe të mendojnë mirë deputetët kur ngenë dorën në parlament dhe kur votojnë ligje antikushtetuese pasi drejtësia ndoshta do të vonojë por nuk do të harrojë.
Edhe pse Parlamenti është në fund të legjislaturës, Gjykata Kushtetuese është ende jashtë funksionit, pasi KED ende nuk ka çuar te Presidenti dhe Kuvendi, emrat e kandidatëve të listuar sipas vlerësimit.