Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion kërkon konfiskimin e pasurisë së gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili është dënuar për korrupsion me 2 vite e 6 muaj burg.
Siç raporton Report TV, SPAK kërkon konfiskimin e 144 mijë e 810 eurove, 1 mijë dollarëve dhe 9.3 milion lekëve cash të gjyqtarit Mirit.
Nga hetimi pasuror rezulton se Shkëlqim Miri nuk justifikon pasurinë.
Shkëlqim Miri u arrestua nëntorin e vitit 2017 për korrupsion, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 2 vite e 6 muaj burg gjyqtarin e Apelit të Tiranës, por që tashmë ky dënim është kryer dhe ai është në liri. Pavarësisht kësaj, gjyqtari Miri do të duhet të përballet sërish me drejtësinë.
Gjyqtari Miri po ashtu ka humbur edhe të drejtën për të ushtruar funksionin e tij si gjyqtar.
Shkëlqim Miri sipas gjykatës përfitoi 30 mijë euro ryshfet nëpërmjet Kujtim Mirit për të lënë në fuqi një vendim ndaj të dënuarit Gentian Doda, ç’ka do t’i sillte këtij të fundit lirinë.
Gjyqtarit në momentin e arrestimit iu sekuestruan në banesë 34 milionë lekë, një pjesë e të cilave iu kthyen pasi ai i justifikoi me faktin që i kishte marrë nga të afërmit për t’u kuruar nga tumori.