Ish deputetja e Partisë Demokratike nëpërmjet një statusi ka mbështetur protestën e disa të rinjve të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Kërkesa vjen pas skandalit të përdhunimit të një 15-vjeçarjeje nga roja i shkollës për rreth 3 vite.
Vokshi shkruan:
Shumë e drejtë kërkesa e të rinjve sot për dorëheqjen e Besa Shahinit. Heshtja e saj për rastin e të miturës së përdhunuar dhe më pas të abuzuar në shkollë është abuzim për së dyti me vajzën. Besa Shahini nuk mund të fshihet pas shkarkimit kaq të vonuar të drejtorit të shkollës.
Fatkeqësisht, nuk është rasti i vetëm që shkollat e shndërruara në organizata të Partisë Socialiste, fshehin dhe lejojnë abuzimet me fëmijët për të mos dëmtuar besueshmërinë e qeverisë dhe të partisë që i ka emëruar pa asnjë meritë.
Vetëm vitin e fundit, në Kavajë një vajzë 14-vjeçare u abuzua seksualisht, u shantazhua me video intime nga 8 adoleshentë për një kohë të gjatë. Ministrja e Arsimit heshti. Drejtori i shkollës, drejtoria arsimore, policia heshtën dhe e fshehën krimin për shumë ditë. Reagimi shumë i vonuar i qeverisë ishte edhe më skandaloz “Ngjarje të tilla bëhen edhe filma”.
Në Arapaj, Durrës një vajzë 8-vjeçare u mor me forcë, u lidh brenda në klasë dhe ngacmua brenda shkollës 9-vjeçare nga dy djem, njëri prej të cilëve djali i një funksionari të PS të zonës. Ministrja e Arsimit përsëri heshti, siç heshtën të gjitha institucionet arsimore dhe policia.
Në Fier, një rrjet i tërë mësuesish dhe drejtuesish të shkollës “Jakov Xoxa”, fshehën abuzimin seksual të dy mësuesve me nxënëset e tyre të mitura. Të gjithë heshën në mbrojtje të abuzusve me vajzat, heshtën sepse drejtoresha militante socialiste e shkollës ishte bashkëshortja e njërit prej mësuesve abuzues.
Në Delvinë, një mësues dhunoi seksualisht nxënësen 11 vjeçare në shkollën e fshatit Kalasë. Çfarë bëri qeveria e Edi Ramës dhe e Besa Shaninit? Mësuesi monstër u trasnferua nga një shkollë në tjetrën. Asnjë masë kundër tij, ndërkohë që raportohen edhe të paktën 3 raste të tjera abuzimi seksual me të mitura nga ana e tij.
Në Tepelenë, një mësues 63 vjeçar u akuzua për ngacmime seksuale me të paktën dy nxënëse në shkollë.
Këto janë vetëm rastet e denoncuara, por të gjithë e dimë se është vetëm maja e ajsbergut. Është vetëm ajo që duket nga një sistem i kalbur nga militantizmi dhe nga një shoqëri e ndrydhur dhe pa besim se abuzuesit e fëmijëve do të ndëshkohen.
Sa fëmijë të tjerë abuzohen në shkolla që nuk kanë guxim apo druhen të flasin? Sa prindër heshtin që të mos njollosin fëmijët e tyre në publik, sepse në Shqipëri drejtësia nuk vihet në vend? Se shteti vihet në anën e të fortit, pedofilit, kriminelit, dhunuesit e përdhunuesit, duke i lënë fëmijët të pambrojtur në ambjentet që duhet të ishin më të sigurta.
Besa #Shahini duhet të japë #dorëheqjen edhe për faktin se është treguar e pandjeshme ndaj rastit të 15 vjeçares së abuzuar. Ajo jo vetëm nuk është distancuar nga dhuna, por nga divani i shtëpisë, ia kaloi përgjegjësinë prindërve të vajzës. #Besa Shahini duhet të japë #dorëheqjen, sepse heshtja e saj dhe fshehja pas shkarkimit të një drejtori sjell viktima të tjera të abuzimit seksual në shkolla.
Në një sistem të rrënuar e të shkatërruar arsimor nga qeveria ku bën pjesë, #dorëheqja është xhesti i fundit njerëzor që i ka mbetur Besa Shahinit.