Ajo është nënë e 4 fëmijëve dhe është martuar me mblesëri, në moshën 17-vjeçare.
Martesa me bashkëshortin shkoi shumë mirë vetëm 4 vitet e para, se më pas ai filloi të pinte alkool dhe të tregohej i dhunshëm me të.
Drita tregon se burri e rrihte, e torturonte dhe e nxirrte edhe jashtë nga shtëpia së bashku me fëmijët e mitur. Nuk ka qënë të pakta edhe rastet kur e ka kërcënuar, sipas saj 36 vite me të kanë qenë vetëm tortura.
Drita: Erdhi prej ushtrie, më dha Zoti gocën e madhe.
Gazetarja: Pas sa kohësh?
Drita: Mbas 4 vitesh.
Gazetarja: Pra u bëtë prindër për herë të parë?
Drita: Po për herë të parë, në moshën 21 vjeç jam bërë nënë për herë të parë. Mbasi linda gocën e parë ai filloi, 3-muajsh ishte goca, filloi të pinte, të më rrihte, të më torturonte, të më nxirrte përjashta. Po isha me prindërit e atij në atë kohë. Më pas u ndava, se do martohej kunati tjetër dhe unë isha e detyruar të dilja nga shtëpia dhe morëm këtë shtëpinë që jam sot.
Gazetarja: Po ti pse vendose të hidhje një tjetër hap me të, kur ai të dhunonte?
Drita: Po gjithmonë ka qenë ai mentaliteti sepse këtu në Bulqizë është mentaliteti shumë i dobët.
Gazetarja: Pse të rrihte?
Drita: Më rrihte për një gjë shumë të vogël, për shembull pse qante goca, për gjëra shumë të vogla gjente një arsye.
Gazetarja: Ti je ankuar ndonjëherë tek dikush, ke treguar për këtë dhunë?
Drita: Unë kam treguar në shumë vende, shumë njerëz kam folur, nuk kanë patur askush çfarë të më bëjë, derisa ka arritur dhe nëna ime, që tani nuk jeton më, ka ardhur për të më marrë dhe gjithmonë ai thoshte nuk pi raki më, unë do e lë.
Gazetarja: Premtonte?
Drita: Premtonte, por nuk shkonte gjatë, nuk shkonte më shumë se 3-4 ditë.
Gazetarja: Pra dhuna ishte vetëm nën efektin e alkoolit?
Drita: Po me alkool, kam patur dhe gocën e dytë që e kam të martuar sot në Elbasan mora rrugën për të ikur, se nuk duroja dot më dhe aty tek spitali duke dalë, ai mori një tub uji, aty më kanë parë të gjithë komshinjtë, më rrihte më tubin e ujit nga spitali deri këtu tek shtëpia.
Gazetarja: Pasi kishte lindur goca e dytë?
Drita: E kisha gocën e dytë 1 vjeç, të madhen e kisha 4 vjeç. Gocën e dytë e kisha në krah, kurse gocën e madhe e kisha përdore dhe nuk mbrohesha dot.
Gazetarja: Po pse gjithë kjo dhunë atë ditë?
Drita: Po pse do të ikësh ti? Ti nuk ke për të ikur, unë të bëj, unë të vras, ti nuk ke shans të ikësh prej shtëpisë time.
Gazetarja: Të kërcënonte?
Drita: Po ka arritur të më nxijë dhe sytë. Ka rrahur edhe nënën e vet. Nëna e vet ka ardhur të më mbrojë mua, ai i ka rënë dhe nënës së vet. Kanë ardhur dhe komshinjtë këtu që ta ndanin, se më futi thonjtë në fyt, ka ardhur një nuse e nipit të burrit tim, ajo më ka shpëtuar, se unë sot nuk do të isha me këta dy kalamajtë, nuk do i kisha sot. Kam kaluar një jetë shumë të vështirë, jeta ime për 26 vjet vetëm tortura kam patur.