Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, teksa pati një komunikim live në Facebook për situatën e Covid-19, bëri të ditur edhe vendimin e Komitetit Teknik i Ekspetëve, që vendosi heqjen e kufizimit për transportin publik.
Më parë, Ministria e Shëndetësisë vendosi që transporti publik të rifillonte aktivitetin më 15 qershor, por rritja e ndjeshme e rasteve të reja me Covid-19, e shtyu rifillimin e punës edhe për një javë.
Sot është dhe dita kur përfundon gjendja e fatkeqësisë natyrore, por ky sektor duhet të plotësojë protokollet e sigurisë si dhe të punojë me 70% të kapacitetit.
Por në cilat qytete, sektori i transportit publik është i gatshëm të fillojë punën?
Shkodra, Korça dhe Vlora rinisin transportin interurban
Transporti publik interurban në Shkodër do të rifillojë aktivitetin duke filluar nga dita e nesërme (24 qershor).
Përfaqësues të këtij sektori në Shkodër thanë se puna do të rifillojë pasi kanë 4 muaj pa punë dhe se ndodhen në situatë të vështirë ekonomike.
Ata shprehen se do t’i respektojnë protokollet anticovid.
Ndërkohë në Korçë, drejtuesit e furgonëve shprehen se janë të gatshëm të punojnë sipas protokolleve të sigurisë të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe me 70% të kapacitetit. Sipas tyre, nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës, dhe se puna duhet të rifillohet pasi po mbesin pa bukë.
Puna do të rifillojë edhe në Vlorë, megjithëse punonjësit kërkojnë më shumë mbështetje sepse me protokollet e vendosura nga ministria nuk mund t’i përballojnë dot kostot.
Në Fier situata mbetet e paqartë
Në Fier, shoferët e linjave interurbane zhvilluan një protestë dhe patën 3 kërkesa. Në kërkesat e tyre përfshihet nisja e transportit ndërqytetas, luftimin e informalitetit dhe subvencionimin nga shteti. Ata shprehen se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës dhe se do të respektojnë protokollet e sigurisë.