Edhe pse nuk i kishte përballë anëtarët e komisionit të ligjeve, kryeprokurori Olsian Çela ka qenë i drejtpërdrejtë në raportin e tij për kriminalitetin, duke thënë se kohët e fundit në Shqipëri ka patur një rritje të kultivimit të kanabisit në Shqipëri.
“Ky është një fenomen në disa qarqe. Kemi vënë re një rritje të kultivimit të kanabisit në qarqet në Krujë, Vlorë, Gjirokastër, ndoshta Shkodra ku problemet janë konstante. Pse ka ndodhur kjo rritje e fenomenit? Në fakt do bëj një analizë paraprake jo vetëm brenda strukturës së Prokurorisë por edhe Policisë së Shtetit, për të kuptuar cilat kanë qenë masat parandaluese nga ana e tyre në këto qarqe. Cila ka qenë përgjigja e Prokurorisë në raport me referimet që kanë bërë dhe si ka qenë efikasiteti i bashkëpunimit mes Prokurorisë përgjatë vitit 2019? E them këtë sepse janë pikërisht këto elementë që nga analiza që zhvillova në rrethet gjyqësore ua kërkova prokurorëve që ti evidentonin dhe të cilat nuk ishin evidentuar. Nuk ka sot një dokument zyrtar të përpiluar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria për të analizuar shkaqet se pse ka ndodhur”-tha Çelaj gjatë seancës ‘online’ në komisionin parlamentar të ligjeve.
Kryeprokurori po ashtu ngriti problemin e procesit të vettingut, pasi shkarkimet e shumta të prokurorëve, për pasojë do të sjellin mungesa të theksuara në trupën e organit të akuzës por edhe zvarritjen e vonesat në hetime.
“Rezulton që për vitet në vijim do të jetë shumë e vështirë që nevojat për Prokuror të plotësohen në mënyrë adekuate nga prurjet e reja në shkollën e magjistraturës, që do të përkthehet në ngarkesë të shtuar të punës në prokurori, dhe kjo përkthehet më tej në zvarritje dhe vonesa në drejtësi”.-tha Çela
Raportimi, edhe pse në distancë shkoi rreth 3 orë, dhe i krijoi ish Ministrit të Brendshëm një përshtypje të rrallë.
“Më duhet të them që kisha kohë që nuk kisha dëgjuar një raport, një qasje të tillë nga Prokurorë të Përgjithshëm në Komisionin e Ligjeve”-tha Xhafaj.
Kujtojmë se prej disa ditësh opozita ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë, duke deklaruar se ka nisur sërish përpjekja për të kanabizuar vendin në kohën kur zgjedhjet janë fare pranë.