Rriten vetëvrasjet/ Depresioni pushton “moshën e artë”. Ja dy qarqet më problematik

0
Gjigandi

Vetëvrasjet u rriten në mënyrë sistematike dy vitet e fundit, duke arritur në 216 persona më 2019 ose 2,3 për qind në raport me një vit më parë. Sipas të dhënave të INSTAT të përpunuara nga Monitor numri i personave të vetëvrare arriti në 7,5 për 100 mijë banorë nga 5,4 që ishte në vitin 2016.

Numrin më të lartë të vetëvrasjeve e kanë burrat, por vihet një rritje e fenomenit edhe tek gratë me 14 për qind më 2019. Më te ekspozuar ndaj vetëvrasjeve ishte grup-mosha 55-69 vjeç me 28 për qind të totalit të vetëvrasjeve, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të lartë në raport me popullsinë.

“Shoqëria shqiptare ka humbur drejtpeshimin, duke e lënë individin në mëshirën e fatit. Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe që i vendos egërsisht nën presion individët. Mund të themi se shkaktarë të kësaj situate janë probleme të natyrës ekonomike, sociale e psikologjike. Të gjitha së bashku bëjnë që shumë njerëz të shfaqin dobësi, që i bëjnë të mos i përballojnë dot presionet e shumta” – ka pohuar më herët për Monitor, Ergys Mërtiri, psikolog.

Bien vetëvrasjet e të rinjve

Vetëvrasjet përfshijnë të gjitha grup-moshat e popullsisë, por tek adoleshentët ato kishin pësuar rritje vitet e fundit për shkak edhe të ndikimit negativ të rrjeteve sociale. Por gjatë vitit të kaluar vetëvrasjet në moshat e reja shënuan rënie të ndjeshme me 34 %, me gjithsej 25 persona nga 38 të rinj të vetëvrare më 2018.

RonaTyra

Numri më i lartë i vetëvrasjeve ishte për moshën 55-69 vjeç me rreth 60 persona ose 28 për qind të totalit dhe në grup-moshën 40-54 vjeç me rreth 22 për qind të totalit. Zakonisht në këto grup-mosha vetëvrasjet shtyhen nga arsye ekonomike dhe përfaqësojnë kryefamiljarë që nuk ja dalin dot të mbajnë familjen.

Më tej numri më i lartë ishte për grup-moshën mbi 70 vjeç me rreth 44 persona ose 20 për qind e të vetëvrarëve më 2019. Vitet e fundit numri i pleqve që jetojnë vetëm është rritur, teksa të moshuarit janë më ekspozuar ndaj depresionit.

Gjirokastra, Berati me vetëvrasjet më të larta, Kukësi më të ulëtat

Qarqet e Gjirokastrës, Beratit dhe Lezhës kishin nivelin më të lartë të vetëvrasjeve në vitin 2019. Në raport me popullsinë Gjirokastra shënoi 13 vrasje për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Berati me 12,8 persona të vetëvrare për 100 mijë banorë dhe Lezha me 12.

Në krahun tjetër Kukësi, Elbasani dhe Tirana kishin numrin më të ulët të vetëvrasjeve, përkatësisht me 3,6, 5,1 dhe 5,8 për 100 mijë banorë, duke rezultuar edhe shumë poshtë mesatares kombëtare.

Shqipëria me numrin më të ulët të vetëvrasjeve në Rajon

Megjithë numrin në rritje të vetëvrasjeve, Shqipëria e ka këtë fenomen e ka më pak të përhapur se Rajoni. Sipas të dhënave OKB mbi popullsinë numri i vetëvrasjeve në Serbi ishte 15,6 persona për 100 mijë banorë, ne Malin Zi ishin 10,3, në Bosnjë 8,8.

Në rang global gjatë vitit 2018, Lituania shënoi numrin më të lartë të vetëvrasjeve me 31,9 për qind për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Rusia me 31, Guajana me 29,2 dhe Koreja e Jugut me 26,9 vetëvrasje për 100 mijë banorë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sjellja vetëvrasëse ka ndikim dramatik në vendin e punës në terma njerëzorë dhe financiarë. Gjithashtu, njihet kostoja për ekonominë e gjerë. Kur një person në moshë pune tenton t’i japë fund jetës, ai individ menjëherë bëhet ekonomikisht joproduktiv; punëdhënësi i tij duhet të gjejë dhe trajnojë një zëvendësues (ai do të mungojë në punë, nëse humb jetën ose veprimi i tij mbetet në tentativë).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu