Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama u shpreh se brenda muajit maj vendi do të jetë i hapur tërësisht nga masat e marra për pandeminë.
Ai theksoi se do të hapen edhe kufijtë dhe Shqipëria do të përgatitet për sezonin turistik, shkruan A2 CNN.
“Nëse nuk do të kishim bërë gjërat e duhura mund të mos takoheshim këtu, por të numëronim humbjet e jetës, plagët e rënda dhe kolapsin në kushtet e një përballje, ku shumë shtete më të zhvilluara se ne e humbën”.
“Jeta më ka çuar dikur pranë një njeriu të zemrës në një spital amerikan në Massachusetts dhe kur kam hyrë në atë spital dhe kam parë se ç’ndodhte kam menduar se kjo këtu është dora e Zotit, se nuk ka mundësi. Përpara syve të mi kam parë atë qenie, që do të jepja jetën time që të kthehej nga koma dhe sot në atë vend ku gjendet ai spital numërohen deri tani 6 mijë të vdekur me vetëm dyfishin e Shqipërisë, por ne ia dolëm. Brenda majit Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht, kufijtë do të jenë hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turistik”, u shpreh Rama.