Ambicia e qeverisë është që brenda korrikut të miratoj ligjin që lejon kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ky është qëndrimi i kryeministrit, Edi Rama, i cili thekson se tani më janë pjekur kushtet për këtë iniciativë.
Por ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë se ky është një “hap i nxituar dhe i gabuar” dhe që synon qëllime të fshehta. Z. Panariti duke iu referuar një studimi në SHBA, tha se kjo gjë do të rrisë përdorimin e kanabisit tek të rinjtë dhe gjithashtu vendi nuk është i aftë ta kontrollojë në një kohë kur ka probleme me kultivimin e kanabisit ilegal.
“Një studim në SHBA ku kanë marrë pjesë 22 mijë persona të moshës 12-18 vjeç, tek këta ka një rritje të ndjeshme të përdorimit të drogës nga legalizimi i kanabisit, një risk që marrim përsëri nëse do ta legalizojmë. Të ngresh një problem të tillë kur Shqipëria ende ka të hapur sfidën për luftimin e kanabisit ilegal besoj se është një çmenduri dhe një akt i papërgjegjshëm.
Sipas ish-ministrit Shqipëria mbetet një patate e nxehtë sa i takon trafikut të drogës dhe për këtë arsye një vendim i tillë duhej konsultuar me agjencitë e antidrogës në SHBA dhe BE. Nga ana tjetër, z. Panariti shton se, vendi nuk ka treg për ta shitur prodhimin pasi BE nuk e lejon importin nga vende jashtë unionit.
“Nuk e di nëse është konsultuar qeveria me DEA dhe BE. Ka efekt për brezin e ri, por nga ana tjetër shtrohet pyetja ku do ta shesin? Qëllimi është për eksport, në Bashkimin Evropian nuk lejohet importi i hashashit nga vende jashtë BE-së. Portugalia mund të importojë vetëm në Gjermani. Ky prodhim mund të devijojë në kanale të dyshimta”, përfundoi z. Panariti.