Ne jemi njerëz dhe çdo njeri në thelb ka paksa zili për të tjerët, sado të afërt t’i konsiderojë, apo sado t’i dojë ata. Ndodh ndonjëherë të shohim fotot apo postimet e miqve tanë në rrjetet sociale dhe të ndihemi keq. Ndihemi keq se ne jemi duke kaluar në momente të vështira, ndërkohë duket sikur atyre gjithçka po u shkon vaj. Ndiejmë edhe paksa zili për ta, edhe pse nuk e shprehim hapur. Pikërisht krahasimi i jetës sonë me jetën e tyre është një formë zilie.
Por pse themi: “Ata janë më të lumtur se unë”, ndërkohë që nuk themi në momentin e duhur: “Ata janë më të mërzitur se unë dhe unë duhet t’i ndihmoj ata të jenë më mirë”? Kjo gjë nuk ka kuptim. Ne duhet ta shohim suksesin e të tjerëve si diçka, për të cilën edhe vetë ne duhet të festojmë. Një nga sfidat më të mëdha në jetët tona është se, duke mos e dashur veten tonë, duke mos e pranuar veten tonë, duke mos e nxitur veten tonë për t’u përmirësua dhe duke mos u ndjerë rehat në lëkurën tonë, ne e gjejmë të vështirë t’i shohim këto cilësi edhe tek të tjerët.
Edhe ti ke për ta kuptuar se, që nga momenti kur të nisësh të përqendrohesh tek vetja jote, nuk ke për të pasur kohë për t’i kritikuar të tjerët. Sa më shumë të mësojmë të vlerësojmë dhe të njohim potencialet e vetes sonë, ne fillojmë të njohim dhe aftësitë e potencialet e të tjerëve. Mos u shqetëso për atë që po bëjnë të tjerët. Jeta jote ka të bëjë me rritjen e vetes, me investimin tek vetja dhe me arritjen e potencialit tënd maksimal. Ti nuk je në garë me asnjë person tjetër dhe nuk duhet të ndihesh sikur je.
E di cila është gjëja më interesante? Askush nuk është si ti dhe kjo është fuqia jote më e madhe. Kjo gjë të bën ty unik/e. Është diçka kaq e veçantë që do të të shtyjë ty të bësh diferencën në botë. Ndaj, mos e harro kurrë këtë gjë.