Thuhet se buzëqeshja na bën të dukemi më të rinj. Por rrudhat e syve ose siç quhen ndryshe ‘këmbët e pulës’ (një grup vijash në këndin e jashtëm të syrit) shfaqen sa herë që qeshim
‘Këmbët e pulës’ ashtu si çdo lloj tjetër rrudhe në fytyrë shfaqen kur prodhimi i proteinave strukturore të quajtura kolagjen dhe elastinë ngadalësohen me kalimin e moshës.
Shfaqja e tyre mund të përshpejtohet dhe përkeqësohet nga faktorë të tillë si pirja e duhanit, ekzagjerimi me alkoolin dhe ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UV.
Në kohët e sotme ka shumë produkte që marrin përsipër trajtimin dhe përmirësimin e pamjes së rrudhave rreth syve, por ato që garantojnë një lloj efikasiteti, janë vërtet të kushtueshme.
Për fat të mirë, edhe në kushte shtëpie ekzistojnë mënyra për të trajtuar ‘këmbët e pulës’. Janë perfekte nëse po kërkoni për metoda 100% natyrale dhe jo të kushtueshme për të larguar ato vija që kanë tendencë të zbulojnë moshën tuaj të vërtetë.
Kështu që lexoni më poshtë nëse doni të përmirësoni pamjen e tyre dhe të mos shqetësoheni sa herë buzëqeshni. Këto janë disa nga mënyrat më të mira në kushte shtëpie që mund të provoni:
Pini sa më shumë lëngje çdo ditë
Ndoshta asnjë metodë natyrale për trajtimin e rrudhave të syve nuk është aq efektive sa pirja e sa më shumë lëngjeve çdo ditë. Duke mbajtur lëkurën të hidratuar, mund të parandaloni rrudhat në cepin e syrit. Përveç ujit, lëngjet natyrale të frutave dhe çajrat bimore mund t’i sigurojnë hidratim total lëkurës suaj.
Aplikoni qumësht tek rrudhat
Hidhni pak qumësht të ftohtë në një gotë. Zhysni një top pambuku në të dhe aplikojeni në zonat e syve. Pini qumështin e mbetur për të inkurajuar trupin të prodhojë më shumë kolagjen dhe elastinë. Pirja e qumëshit është një mënyrë e mirë për t’u dukur të rinj dhe për të qëndruar të shëndetshëm.
Ushqeni lëkurën me vaj kokosi
Vaji i kokosit është një ushqyes i mrekullueshëm i lëkurës. Kjo është arsyeja pse aplikimi i tij në qoshet e jashtme të syrit mund t’ju ndihmojë të dukeni më të rinj. Është një ide e shkëlqyer ta aplikoni para se të shkoni në shtrat për të hidratuar qelizat e lëkurës dhe për të minimizuar pamjen e rrudhave të syve.
Aplikoni xhel aloe vera
Mbani një bimë aloe vera në shtëpinë tuaj për të pasur një zgjidhje natyrale kundra plakjes. Brenda çdo gjethe aloe vera gjendet një xhel i pasur me vitaminë E. Aplikimi i këtij xheli në zonën e rrudhave të syrit dhe shpëlarja më pas me ujë mund të bëjë mrekulli.
Vendosni feta kastraveci në sytë tuaj
Përveç eliminimit të rrathëve të errët dhe qeskave në sy, fetat e kastravecit janë gjithashtu të shkëlqyera në luftimin e rrudhave që shfaqen në cep të syrit tuaj sa herë buzëqeshni. Gjithashtu, fetat e kastravecit furnizojnë trupin me ujë dhe vitaminë C e cila është e mrekullueshme kundra plakjes.
Maskë me të bardhë vezësh
Meqenëse kolagjeni dhe elastina janë lloje proteinash, furnizimi i lëkurës me proteina mund të ndihmojë në përmirësimin e rrudhave si ‘këmbët e pulës’. Thjesht rrihni të bardhën e vezës dhe aplikojeni në sasi të bollshme në zonën e syve. Prisni pak derisa të ndjeni një mpirje. Shpëlajeni me ujë të ftohtë.
Aplikoni maskë me papaja
Ky frut i mrekullueshëm tropikal është i mrekullueshëm për të luftuar ‘këmbët e pulës’. Papaja përmban sasi të larta të vitaminës C si dhe enzima të cilat ju ndihmojnë të dukeni më të rinj pa shpenzuar shumë para. Merrni një copë papaja, shtypeni dhe aplikojeni në zonën e syve. Shpëlajeni pas disa minutash.