Edhe njerëzit e fortë, ata të cilët kanë rënë dhe janë ngritur disa herë, kanë nevojë, herë pas here, që dikush t’i marrë për dore dhe t’u thotë se gjithçka do të shkojë mirë. Dikush që u kujton atyre se ka shumë për të bërë, por pak për t’u shqetësuar. Ndjenja e kësaj nevoje është gjithçka tjetër veçse një dobësi: është një provë kurajoze për një person që di të pranojë mbështetjen e të tjerëve dhe, kur të jetë e nevojshme, edhe ngushëllimin.
Antoine de Saint-Exupéry tha se dështimet forcojnë kalatë. Kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë: për të fituar forcë të përshtatshme dhe për të ndërtuar themelet e guximit, së pari duhet të kesh rënë. Ne duhet të provojmë plagën e zhgënjimit, zbrazëtinë e humbjes ose mbresën e gabimit.
Vetëm njerëzit e fortë e kuptojnë vlerën e vërtetë të këtyre fjalëve shpresëdhënëse, të ndihmës që i ofron vetes për t’u ngritur përsëri. Në një moment fatkeqësie, edhe heronjtë më të mirë kanë nevojë që dikush t’u thotë atyre se gjithçka do të shkojë mirë.
Kjo nevojë ka një emër, uri emocionale, dhe karakterizon të gjitha qeniet njerëzore. Të gjithë shpesh kemi nevojë për më shumë ndihmë sesa marrim, më shumë konsideratë sesa na jepet, më shumë mirënjohje dhe, pse jo, edhe një dashuri më të pranishme. Sigurisht, është gjithashtu e rëndësishme të mësoni të ndihmoni veten, të vini në praktikë strategji për të patur një vetë-dashuri të mirë, një vetëbesim të fortë dhe një personalitet të fortë për kaluar vështirësitë.
Sidoqoftë, vetë-ndihma agresive, besimi se nuk keni nevojë për asgjë ose askënd, mund të jetë kundërproduktive. Ndonjëherë, ata që nuk kanë nevojë për asgjë, nuk janë në gjendje të ofrojnë asgjë dhe pa e kuptuar bien në një materializëm të vërtetë emocional.