Jessica Mulroney, e njohur dhe e përfolur shpesh në media si mikesha e ngushtë e Meghan Markle, është njëkohësisht edhe një sipërmarrëse dhe influencuese në Instagram. Por duket se së fundmi e gjithë bota është kthyer kundër saj për shkak të një debati të ndezur online.
E gjitha nisi kur Sasha Exeter, një blogere kanadeze me ngjyrë, u bëri thirrje të gjitha influencueseve të mediave sociale që të përdornin platformat e tyre për të promovuar antiracizmin. Sipas Sasha-s, Jessica u ofendua nga ky postim dhe kontaktoi disa marka për t’u folur keq për Sasha-n dhe për të ndikuar që ato të mos bashkëpunonin më me të. Madje, Sasha pretendon se pas kësaj, Jessica e ka kërcënuar. Kjo gjë ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku njerëzit e kanë kritikuar ashpër dhe e kanë qujatur mikeshën e dukeshës raciste.
Fakti që Jessica u përfshi në këtë skandal, bëri që programi i saj në Netflix të anulohej. Ajo njoftoi se do të distancohej nga jeta publike dhe se do ta përdorte këtë situatë si një mundësi për të reflektuar dhe për t’u rritur. Gjithashtu ajo kërkoi falje publike, duke përfshirë edhe një koment publik në videon e Sasha-s, ku theksonte miqësinë e saj të gjatë me Meghan Markle, për të treguar se nuk ishte raciste, përderisa mikesha e saj më e mirë ishte me ngjyrë.
Por si ndihet Meghan që Jessica e përdori emrin e saj për t’u mbrojtur në një çështje kaq delikate? Aspak mirë!
Sipas burimeve për Daily Mail, Meghan është shumë e bezdisur që emri i saj u përfshi në një situatë kaq të rrëmujshme. Ajo tha se Jessica nuk është raciste, por e ka menaxhuar keq situatën me Sasha-n. Madje, burimi shtoi se kjo gjë mund të ndikojë në shoqërinë e Meghan-it me Jessica-n, pasi dukeshës i duhet të ruajë reputancionin e saj dhe se me shumë mundësi nuk kemi për ta parë më me Jessica-n, të paktën jo në publik.