Reperi 22-vjeçar Fero (Feron Shabani) i ka dhënë fund njëherë e mirë historisë problematike me modelen seksi, Arbenita Ismajli. Çifti i njohur, prej disa javësh la vend për dyshime rreth një ndarjeje të mundshme mes tyre, të cilën e kanë konfirmuar këto ditë. Vendimin për t’u ndarë reperi e mori vetëm pak kohë pasi ai dhe modelja kishin nisur bashkëjetesën në Gjermani.
E duket se s’ka qenë ndarje e paqtë, pasi ata jo vetëm që nuk e ndjekin njëri-tjetrin në “Instagram”, por jetojnë dhe shumë larg njërit-tjetrit. Ndarjen e tyre e ka konfirmuar vetë reperi përmes një postimi në “Instagram”, deklaratë që e shoqëron me disa emoji duke qarë dhe më pas duke qeshur. Ndërsa në një postim të dytë, reperi e pranon se fajin për ndarjen e ka pasur vetë ai. Këto konfirmime vijnë pak ditë pasi Fero publikoi një video, ku shfaqej së bashku me një vajzë misterioze, por pa i zbuluar fytyrën.
Ai ka preferuar ta mbajë të fshehtë portretin e saj, duke shtuar më tepër dyshimet se kjo është vajza, për të cilën ai la Arbenitën. Në këtë situatë delikate, Arbenita nuk ka qëndruar duarkryq, pasi u fotografua e vetme në aeroport me valixhe duke u kthyer në Maqedoni dhe duke lënë bashkë me Feron edhe Berlinin, qytetin ku bashkëjetoi më këngëtarin. Burime pranë saj kanë pohuar se jeta e saj do të vazhdojë në Londër, aty dhe ku jeton prej vitesh.
Pas publikimit të këtyre fotove, Arbenita konfirmoi ndarjen në mënyrën e saj. Modelja publikoi në “Instagram” dy foto të saj veshur me fustan të bardhë dhe i shoqëroi me mbishkrimin: “Ajo është mbretëreshë, me apo pa ty”. Menjëherë fansat kanë nisur të komentojnë, duke u shprehur të bindur se këto fjalë ia ka drejtuar Feros. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që çifti i njohur kanë probleme në lidhjen e tyre, pasi janë përfolur shpesh për ndarje, por ata janë rikthyer sërish në krahët e njëri-tjetrit.
Në të gjitha rastet, arsyeja e konflikteve ka qenë “tradhtia” e reperit me vajza të ndryshme, një prej të cilave u mediatizua, pasi bëhej fjalë për një Miss, njëkohësisht fanse e Feros. Duhet thënë se kjo ishte historia më e bukur që po komentohet këto kohë në shtypin rozë. Lidhja e Feron Shabanit, i njohur si Fero, me modelen që jeton në Londër, Arbenita Ismajlin, u zbulua që në fund të vitit të kaluar, por postimet me fotot apo dedikimet e dashurisë nisën në fillim të këtij viti. Madje Arbenita u përfol për një shtatzëni të mundshme, e aluduar nga fansat e saj dhe të Feros.
I ftuar në një emision radiofonik “72 #sen”, reperi nuk mundi që t’i shpëtonte pyetjes në lidhje me këtë pritje të ëmbël të mundshme. “Këto janë gënjeshtra, jemi vetëm 21 vjeç. As që e kam menduar ndonjëherë, por i kam parë ato lajmet pa lidhje. S’do e kisha fare problem ta thosha, do kisha dalë dhe do ta kisha treguar. Unë jam shumë i vëmendshëm me veprimet e mia. Në qoftë se vendos të bëj diçka, do ta marrin vesh të gjithë, se edhe nëse unë dua ta fsheh diçka, s’mundem pasi jeta ime është në sy të të gjithëve”, sqaroi reperi publikisht.
Ndërkohë, kujtojmë se çifti prej muajsh e vazhdoi lidhjen në distancë mes Kosovës dhe Anglisë, ku Arbenita punon si modele për disa agjenci dhe marka veshjesh. Duke qenë se nuk e përballuan dot lidhjen në distancë, ata vendosën të bashkëjetonin, pas së cilës erdhi direkt ndarja.
FERO DHE HISTORIA PROBLEMATIKE ME MODELEN, QË E PA NË KLIPIN E GETOAR SELIMIT
Po kush është djaloshi Fero dhe pse jeta e tij intrigon kaq shumë? Një nga klipet e tij të fundit titullohet “Bona fam”, një këngë që ia dedikon famës së tij të mënjehershme në muzikë. Edhe pse vetëm 21 vjeç, Fero është kthyer tashmë në një nga reperët më të njohur dhe të suksesshëm e kjo shihet nga klikimet e shumta që marrin këngët e tij.
Fero është komentuar shumë rreth përplasjeve me reperët e të tjerë e kërcënimet me armë, që i ndodhën në fillim të këtij viti. Dhe pas famës së menjëhershme brenda një viti, shumë shpejt u zbulua se Fero është i dashuruar me modelen seksi me origjinë nga Maqedonia, Arbenitën. Modelja dhe reperi kanë shkëmbyer herë pas here edhe komente publike me njëri-tjetrin, ku nuk kanë munguar zemrat, ndërkohë që ka dalë dhe fotoja e parë ku ata pozonin të përqafuar në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Nga ana e saj, Arbenita Ismajli nuk është një vajzë e panjohur për publikun. Tri vite më parë, ajo u shfaq si figurante në klipin “S’jena mo” të Getoar Selimit dhe Majkut. Gjithsesi, të gjithë e njohin tashmë. I ri në moshë, por fama e tij po rritet ndjeshëm. Fero ka bërë “namin” në rrjetet sociale duke bërtitur “Gang Gang”, për të promovuar këngën me të njëjtin titull dhe me të vërtetë ka rezultuar mjaft e suksesshme, jo vetëm ajo, por edhe projektet e tjera tjera më pas. Kujtojmë që ky fillim viti ishte i vështirë për reperin e njohur kosovar, pasi u sulmua nga katër persona, rrahje e dyshimtë, pas së cilës ai përfundoi në paraburgim.
Sa i takon muzikës, në fillim të karrierës së tij nuk pati shpërthimin e duhur, kur publikonte këngë audio me emrin Profero. Ai njihet edhe si tekstshkrues shumë i mirë, pasi ka bashkëpunuar me emra si: Adelina Berisha, Mergim Mjeku, Kida, Xhensila, Endri etj. Në vitin 2013 publikoi videoklipin “Real Hip Hop”. Mund të themi se, edhe pse doli me shumë krijime nga viti 2016, hovin e vërtetë e mori me “Gang Gang”, që është hit-i i tij. Le të shohim se cila do të jetë e dashura e radhës, me të cilën ai do të krijojë lidhje serioze.