Policia e Kukësit ka njoftuar se ka arrestuar një 47 vjeçar që kërkohej nga interpoli. Ai është një shtetas kosovar dhe do të ekstradohet drejt Gjermanisë.
H.H është i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Vjedhja në rrethana rënduese”.
Morinë/Kukës
Arrestohet me qëllim esktradimi drejt Gjermanisë, një shtetas kosovar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Vjedhja në rrethana rënduese”.
Kapja, nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Shërbimet e Policisë Kufitare, me rihapjen e kufijve, kanë marrë masa duke shtuar kontrollet për kapjen e personave në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Qafë Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tirana, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar H. H. (K)., 47 vjeç, banues në Smolicë, Kosovë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Lokale Geilenkirchen/Gjermani i ka vendosur masën e sigurimit ‘Arrest në burg’, për veprën penale “Vjedhja në rrethana rënduese”. Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 10 vjet burg.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë bënë arrestimin provizor të tij, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, mbështetur në Konventën Evropiane të Ekstradimit.