Anila Mimani ka qenë e ftuar këtë të mërkurë në ‘Soirée’ me Jonida Shehun në ‘Top Channel’ për të kujtuar muzikën e viteve 2000 dhe për të performuar disa nga këngët e saj më të njohura.
Gjatë intervistës në studio, Anila është pyetur nga Jonida Shehu nëse e ka menduar ndonjëherë që të marrë pjesë në festival dhe përgjigja e saj ka qenë e menjëhershme.
“Jo asnjëherë, sepse për mua është humbje kohe, sepse do shkosh të bësh prova njëherë, jo po është edhe ajo pjesa e ‘look-ut’, grimi, veshja. Të merr shumë kohë festivali dhe në fund nuk shpërblehesh. Nuk merr atë që ti mendon të marrësh”, u shpreh Mimani. Më vonë ka ndërhyrë edhe këngëtari i njohur Artan Kola, i cili e ka mbështetur mendimin e këngëtares Anila Mimani. “Nëse flasim për festivale, asnjë në festival nuk fiton ai që shkon për të. Asnjë nuk fiton nga këngëtarët, por vetëm humbasin dhe humbasin nga 3-5 mijë euro e fitojnë vetëm organizatorët”, është shprehur ai.
‘Soiree’ bëri bashkë emrat më të dashur të muzikës shqiptare në vitet 2000, duke i kthyer të gjithë pas në kohë me hitet e dikurshme që dëgjohen ende sot e kësaj dite./