Plot 4 vite lidhje morën fund pak muaj më parë, kur këngëtarja e njohur Rovena Dilo dhe i dashuri i saj balerin disa vite më i ri në moshë, Eltion Merja, u ndanë. E ftuar së fundi në “Këndo këngën time”, artistja foli ndër të tjera edhe për ndarjen nga partneri, duke hedhur dritë për arsyen që i çoi në prishjen e kësaj marrëdhënie që zgjati jo pak, por plot katër vjet.
Këngëtarja u shpreh se ajo nuk tradhton, as në jetë, as në bashkëpunimet muzikore, duke i qëndruar kështu besnike njerëzve me të cilët ka punuar për një kohë të gjatë. “Unë jam shumë besnike në jetë dhe në përgjithësi, nuk tradhtoj në jetë. I dua njerëzit me të cilët jetoj dhe bashkëpunoj. Kështu që, edhe në bashkëpunimet muzikore, nëse një kompozitor më pëlqen, edhe kur ai nuk bën një material të mirë, unë përpiqem maksimalisht që ta nxjerr atë mirë”, u shpreh Rovena, duke mos e fshehur që nga kjo histori ka mbetur e tradhtuar, e zhgënjyer dhe e lënduar.
Ndërkohë që Eltioni ka preferuar të qëndrojë në heshtje rreth kësaj historie, duke u etiketuar në komentet që janë bërë nga ndjekësit si “tradhtari”. Burime pranë ish-çiftit të showbizz-it bënë të ditur se një romancë e Eltionit me një vajzë më të re në rrethin artistik ku ai ushtron profesionin, ka çuar në prishjen e lidhjes me këngëtaren. Gjithsesi, ai kujdeset që të jetë shumë diskret në rrjetet sociale dhe pas fshirjes së fotove me Rovenën nuk ka bërë pastime të tjera, që mund të zbulojnë më shumë nga jeta e tij private.
SI RA NË DASHURI ROVENA DILO ME BALERININ DISA VITE MË TË RI, NDËRKOHË QË PO DIVORCOHEJ NGA ISH-FUTBOLLISTI
Katër vite pasi u dashurua në një spektakël me partnerin e saj të kërcimit, Rovena Dilo e gjen veten sërish single. Këngëtarja e njohur thuhet se këngën e re të Adi Hilës, me titull “Do të çmend”, ia ka dedikuar pikërisht balerinit Eltion Merja, me të cilin është ndarë pas 1 viti bashkëjetesë. E vetme, ndërsa laget nga dallgët e detit, ajo shfaqej në skenat e klipit, ku natyrisht jep një mesazh për balerinin që e pati prej vitesh shumë afër, por që tani s’janë më.
Madje, dy të dashuruarit që shiheshin gjithmonë bashkë kudo dhe postonin foto me shoqërinë e ngushtë në rrjetet sociale, tani e kanë fshirë njëritjetrin nga “Instagrami”. Po si nisi historia e bukur e dashurisë mes Rovena Dilos dhe balerinit disa vite më të ri, Eltion Merja? Për këngëtaren e njohur, balerini hyri në jetën e saj fiks pas divorcit aq shumë të përfolur nga ish-futbollisti, Florian Riza.
Ndarja përkoi me pranimin e ofertës nga ana e saj për të qenë një nga kërcimtaret VIP të spektaklit “Dancing With the Stars”, ku kishte për partner Merjan. Në fillim u duk se mes tyre pati vetëm kimi skenike, ndërsa kërcenin si çift në garën VIP “Dancing With the Stars”, por duke qenë se ata vazhduan të shoqëroheshin edhe pas mbylljes së spektaklit, lidhja e tyre mori tjetër drejtim.
Artistët u komentuan në media si çifti më i ri i shozbizz-it shqiptar, plot katër vite më parë. Shenja e parë që tregoi se çifti ishin në një raport më tepër se profesional, ishte kartolina e Krishtlindjeve që Rovena Dilo shpërndau për ndjekësit, ku këngëtarja dhe balerini u shfaqën si çift në përurimin e fundvitit. E që nga ajo atmosferë e ndërrimit të viteve në 2015-ën ku festuan si të dashur, ata nuk u ndanë asnjë ditë nga njëri-tjetri. Gjithmonë bashkë, jo vetëm për darka e festa të gëzuara, por edhe si bashkëpunëtorë në projekte të ndryshme artistike, duke u shndërruar në ortakë me vizion të njëjtë për mënyrën e të bërit art.
Vetë çifti vendosën të luanin pak me fantazinë e audiencës nëse ishin apo s’ishin bashkë, por gjithmonë kjo e parë si një lojë vetëm për sytë e publikut, sepse miqtë e mikeshat e tyre ishin dëshmitarë okularë edhe të ndonjë puthjeje darkave, duke treguar se ata ishin çift dhe madje një çift i lumtur.
TË GJITHA DEKLARATAT E FORTA TË ROVENËS PËR BALERININ
E pas katër vitesh lidhjeje, Rovena dhe Eltioni e konsoliduan marrëdhënien me nisjen e bashkëjetesës në Tiranë. Ata komentoheshin si çifti që jepnin shpirtin në skenë, pasi anëtarët e jurisë së “Dancing With the Stars”, që kryesohej nga Ilir Shaqiri, i kishin etiketuar në njëfarë mënyre si partnerët që kërcejnë me pasion e ndjenjë. Dhe ashtu si pa kuptuar, kaluan plot katër vjet që kur Rovena dhe Eltioni u njohën pikërisht në paskuintat e “DWS”, spektakël të cilit ata iu rikthyen edhe një herë sërish çift, për herë të dytë në këtë garë televizive, për të cilën produksioni zgjodhi më të mirët që morën pjesë në këto vite të organizimit të tij në Tiranë.
Por në ndryshim nga çiftet e tjera në garë që u rikthyen me partnerë të rinj në këtë herë të dytë, Rovena dhe Eltioni nuk u ndanë as kësaj here. Në fillim askush s’e besonte se kjo lidhje do të zgjaste, për shkak të diferencës në moshë, por e vërteta është që zgjati plot katër vjet. Vetë Rovena e ka përshkruar indirekt ndjesinë që i jep afrimiteti me balerinin që nga njohja. Në fillim fare, e pranishme si spektaktore në një shfaqje të tij në Teatrin e Operës dhe Baletit, ajo e cilësoi atë “fryma ime”, duke shprehur kështu ndjesinë që i jepte, kur e shihte atë në skenë si një balerin klasik shumë të talentuar.
Dy vite më vonë, ata u bënë bashkë për një projekt artistik, ku të ftuar për herë të parë në një studio televizive, pikërisht “Top Show”, Rovena nuk e pohoi, por as e mohoi lidhjen. Ndërsa në një tjetër rrëfim si e ftuar në “Xing me Ermalin”, këngëtarja e konsideroi Eltionin një person tepër të rëndësishëm, pa të cilin ajo s’do t’ia dilte në skenën e kërcimit, sepse ka në dorë suksesin e saj në këtë garë. Nga ana e tij, Eltioni me shaka u shpreh se “i jep dru” Rovenës gjatë provave, pasi vetëm kështu mund të arrinin synimin që i kishin vënë vetes.
Të gjitha këto nëntekste të deklaratave të tyre dhe fotot bashkë në çdo event të mundshëm, theksuan faktin që marrëdhënia e tyre ishte shumë e ngushtë dhe pasionante. E pyetur se çfarë do të thoshte për marrëdhënien e tyre, Rovena si mjeshtre e fjalës i habiti të gjithë me mënyrën poetike kur shprehej për të: “Ai është shoku im shumë i mirë. E para, unë atë e adhuroj.Ai është për mua balerini më i mirë kontemporan në Shqipëri. Kur e shikoj Eltion Merjan të performojë, unë mbetem pa frymë, e them gjithmonë këtë gjë”.
Ndërsa në një tjetër rrëfim televiziv, balerini la të nënkuptohej se ata bashkëjetonin, duke treguar se “ndërsa unë ulem dhe punoj, Rovena fle gjumë”. Këngëtarja ndërhyri duke thënë se “kur fle, lutem që Eltioni të ketë sa më shumë frymëzim e suksese”. “Rri pa gjumë dhe mendoj e them: O Zot, ndihmoje Token (siç i flet ajo dhe miqtë me përkëdheli) dhe jepi fuqi e frymëzoje”, u shpreh Rovena, duke shprehur gjithashtu se e adhuron profesionalizmin e tij si balerin.
A nuk ishte kjo e gjitha një deklaratë e pastër dashurie? Në fakt ishte, por për fat të keq, nuk është më. Kështu që, le të presim se cili do të jetë personi që do t’i rrëmbejë zemrën Rovenës kësaj here!