Grupi shumë i dashur nga publiku shqiptar, “West Side Family”, po rikthehet këtë vit në festivalin e “Këngës Magjike” dhe ky lajm i ka gëzuar pamasë fansat.
Landi dhe Miri do të kthehen në festival pas 11 vitesh mungesë dhe në vend të këngëtarit të ndjerë, Dr.Florit, do të jetë i pranishëm vëllai i tij, Alban Kondi.
Treshja do të sjellë një këngë vetëm për këtë edicion të “Këngës Magjike” dhe Albani s’do të jetë anëtar i përhershëm i grupit.
“Nuk e kisha fare në mendje. Së bashku me Elgit Dodën, po punonim për disa artistë që do të marrin pjesë në festival si Xheisara apo Olsi Bylyku dhe ishim përqëndruar tek ta. Ndërkohë Landi dhe Miri po mendonin të merrnin pjesë dhe ndërsa unë me Elgitin po punonim për këngën e tyre “7 ditë” , aty për aty u vendos dhe pjesëmarrja ime.
Unë e kam diskutuar shpesh me Landin dhe Mirin që West Side Family tashmë është një brand, është një familje që mirëpret këngëtarë të ndryshëm. Sot jam unë, nesër do të jetë dikush tjetër.”- ka rrëfyer ai.
Po e presim me padurim pjesëmarrjen e djemve dhe këngën e tyre të re, e cila jemi të bindur që do të kthehet në hit, si çdo këngë tjetër e grupit.