Vijon të jetë serioze situata me pandeminë në vendin tonë.
Ministria e Shëndetësisë në përditësimin e situatës për 24 orët e fundit ka njoftuar se 2 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa ka edhe shtrime të reja në spital apo pacientë që kanë nevojë për terapi intensive.
Një 64-vjeçare nga Shkodra dhe një paciente 63-vjeçare nga Elbasani, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor nuk ka mundur të mbijetojnë.
Sakaq, aktualisht janë të shtruar 90 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 451 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 96 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 51 raste në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Durrës, nga 4 raste në Elbasan, Pogradec, nga 3 raste në Krujë, Kukës, nga 2 raste në Fier, Lezhë, Kavajë, Kamëz, Dibër, dhe nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Devoll, Has, Lushnje, Mat, Përmet, Sarandë, Prrenjas, Bulqizë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 2062 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1508 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton edhe një herë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri:
Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën
Ruani distancën në ambientet publike.
Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse.
Shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19.
Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes.
Nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore.
Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127”.
Deri më tani në vendin tonë numërohen gjithsej 3667 raste të prekur me Covid-19, nga 33389 testime. Numri i të shëruarve ka shkuar në 2062, ndërsa numri i viktima 97.
Nga viktimat, Tirana ka 49, Shkodra 17, Durrësi 15, Fier 5, Elbasani 5, Vlora 2, Kukësi 1, Lezha 1, Berati 1 dhe Dibra 1.