Përmes një postimi në Facebook presidenti Meta bën me dije se ka marrë një mesazh nga eksperti i çështjeve zgjedhore Kristaq Kume i cili i ka ngritur shqetësimin e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese.
Meta shkruan se ndryshimet e marrëveshjes së 5 qershorit duhet të shkojnë sërish në tryezën e Këshillit Politik.
“Dje në mesnatë mora një mesazh nga një intelektual i nderuar si Prof.Kristaq Kume. Shqetësimi i tij ishte se duhej bërë çdo përpjekje për të shmangur ndryshime kushtetuese të njëanshme sepse do të ishte një kosto shumë e rëndë për vendin. Ai sugjeronte se çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik.”
Më tej Meta shprehet se i ka kërkuar edhe një takim kreut të PD-së, Lulzim Basha për të parë nëse ishte i hapur për diçka të tillë.
“Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë. Ai më njohu me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar që është bërë publik dhe u është njoftuar dhe të gjithë partnerëve të shqetësuar për të ardhmen evropiane të vendit tonë. Jam i bindur se ka kaq shumë intelektualë dhe qytetarë që ndajnë këtë shqetësim si të Prof.Kumes. Për këtë arsye po e ndaj me të gjithë ju këtë qëndrim tepër të përgjegjshëm dhe bashkëpunues të Opozitës së Bashkuar.
Pjesë nga deklarata e sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi:
Nëse Partia Socialiste është vërtet e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit ti parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Çdo diskutim i tillë, sipas Marrëveshjes, nuk mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit.”