Mbrojtjes së lëkurës ndaj diellit rëndësinë më të madhe ia kushtojmë në stinën e verës, kur dielli është më i fortë. Ndoshta nuk e dini, por në stinën e dimrit, edhe pse dielli mund të mos jetë aq i fortë dhe ndonjëherë i padukshëm, sërish disa rreze janë të dëmshme për lëkurën tonë dhe mbrojtja ndaj tyre është e domosdoshme.
Edhe në ditët e vrenjtura, një pjesë e mirë e rrezeve UV depërtojnë mes reve. Ndryshe nga ç`mund të mendoni, dielli nuk është më pak i dëmshëm në dimër.
Për këtë arsye kremi me SPF është i domosdoshëm edhe gjatë ditëve të vrenjtura të dimrit, njësoj si gjatë ditëve me diell. Gjëja e parë që duhet të bëni, pavarësisht stinës, është të mos anashkaloni kremin e diellit. Kremi i diellit duhet të ketë një faktor mbrojtës minimumi 30, të përshtatet me llojin e lëkurës tuaj dhe të ketë përbërës të sigurt dhe efektivë.
Ekspozimi ndaj diellit ka një impakt negativ për shkak të rrezeve UVA dhe UVB, të cilat ndikojnë në plakjen e parakohshme të lëkurës. Nëse nuk e doni këtë gjë, atëherë investoni në një krem me SPF, lëkura juaj do t’ju falënderojë.