Hekuran Billa u nxor në pritë para atentatorëve nga ish e dashura e tij. Adiola Lakra, 26-vjeçarja që u prangos sot në Berat është ish e dashura e Hekuran Billës, ndërsa së fundmi ajo ishte në një lidhje me Sebastian Malin, nipin e Prel Markut.
26-vjeçarja akuzohet si bashkëpunëtore në vrasjen e Billës. Ajo dyshohet si një nga personat që ka informuar autorët për lëvizjet e Hekuran Billës, të cilin do ta takonte mbrëmjen e 11 qershorit.
Burime zyrtare pranë grupit hetimor i thanë ABC News, se nga këqyrja e celularit të viktimës është përfituar edhe biseda që Billa kishte pasur me Adiolën. Ai i kishte kërkuar që vajza, me të cilën një vit më parë ishte në një lidhje intime, ta takonte në zonën e “Komunës së Parisit”.
Në funksion të hetimeve janë kryer edhe përgjime të bisedave telefonike mes 26 vjeçares Lakra dhe 22 vjecarit Sebastian Malit, i arrestuar si një nga autorët e dyshuar në ekzekutimin e Billës.
Sipas burimeve, së fundmi Adiola Lakra ishte në një lidhje me Sebastian Malin. Ky fakt, por edhe bisedat e shumta që vajza ka pasur kohët e fundit me 23 vjeçarin Mali, bënë që ajo të mbahej nën vëzhgim që pas vrasjes së Billës.
Gjatë marrjes në pyetje, vajza ka mohuar përfshirjen e saj në krim, duke pohuar se me Hekuran Billën njihej prej gati një viti dhe kishin pasur një lidhje së bashku. Tashmë, policia ka në kërkim të paktën edhe dy persona të tjerë si të përfshirë në krim.
Më herët, në pranga përfundoi edhe Viktor Marku, daja i Sebastian Malit apo vëllai i Prel Markut, i vrarë në Angli nga Hekuran Billa, në vitin 2006. Pista kryesore ku po hetohet deri tani për vrasjen e Billës është gjakmarrja.